Pipero tregon si është njohur me bashkëshorten

Pasditen e sotme i ftuar në programin “Rudina” në Tv Klan ishte mjeku infeksionist Pëllumb Pipero. Ndryshe nga herët e tjera, doktori më i njohur i momentit rrëfeu në studio një profil tjetër, atë të jetës së tij personale, karrierës, familjes.

Pëllumb Pipero ka lindur në Skrapar më pas është transferuar në Vorë ku ka nisur të punojë që në moshë të vogël për të ndihmuar familjen dhe pas përfundimit të shkollës 8-vjeçare nisi punë në fabrikën e tullave. Për disa vite rresht Pipero ka qënë punëtor i rregullt i turnit të tretë. Ai ka përfunduar studimet në Fakultetin e Mjekësisë, është i martuar prej vitesh me bashkëshorten, Mimoza dhe janë prindër të dy fëmijëve, vajzës Genarda dhe djalit Marios.

“Moza menaxhon një kompani farmaceutike të cilën e kemi krijuar shumë herët, por tani për shkak të konkurencës është dobët po shkon drejt mbylljes dhe më vjen keq. Ajo bashkë me vëllain tim e kanë menaxhuar. Ndryshe nga unë ajo ka mbaruar dy fakultete farmaci dhe drejtësi, por punon si menaxhere. Të gjitha gratë në natyrën e tyre janë të rralla. Ajo është vlonjate nga Kuçi i Vlorës. Ne skrapalinjtë kemi shumë tradita, shumë zakona dhe ajo i ka përballuar me shumë kujdes sidomos ardhjen e shumë miqve, ndënjtja në shtëpi, pavarësisht kushteve. Ka rritur dy fëmijë të mrekullueshëm, por më ka qëndruar edhe mua mbi kokë dhe në krah për t’u bërë sot Pëllumbi që është sot i mirë. Ajo ma ka shtruar, ma ka bërë të lehtë të gjithë jetën që unë të jem më shumë i njerëzve, i qytetarëve sesa i familjes,” tregon Pëllumb Pipero.

E pyetur nga moderatorja Rudina Magjistari se si është njohur me bashkëshorten e tij, Mimozën, Pipero përgjigjet: “Jemi njohur rastësisht në Spitalin Ushtarak në punë, nuk ka qenë e thjeshtë ta bindja edhe pse në atë kohë mora një lloj fame. Ajo kishte një pozicion të përkohshëm aty, shkollën e mesme e ka mbaruar për infermieri dhe në pushimet e shkollës punonte në spital. Të gjithë në atë kohë kemi qënë nevojtarë, ndihmonim familjet, edhe punonte edhe vazhdonte shkollën. Ka qënë shumë simpatike dhe shumë e shkathët. I ati punonte në Spitalin Ushtarak dhe ajo ishte shumë e lidhur me atë, pa lejen e tij ishte e pamundur të komunikoje. Ai gjurmoi të dhënat e mia dhe dola me biografi të pastër.” /tvklan.al