Në kujtim të Fatos Baxhakut, bohemi i fundit i gazetarisë

Idealisti apo bohemi i fundit i gazetarisë, një njeri i cili i vlerësonte shumë njerëzit e thjeshtë, i falte dashuri dhe merrte dashuri pa kushte nga ata dhe për të cilin e pasura materiale ishte e pakuptimtë pa të. Kështu e përshkruajnë miqtë Fatos Baxhakun, njeriun që la gjurmë në gazetarinë shqiptare pas viteve ’90. Ai humbi jetën vetëm pak muaj më parë, një humbje shumë e madhe edhe për gazetarinë. Në këtë puntatë të “Jo Vetëm Modë”, flasin pikërisht miqtë e Baxhakut, si e kanë njohur ata, cilat ishin gjërat e preferuara të tij, por jo vetëm kaq.

Ndarja nga jeta e Fatos Baxhakut në Gusht të 2019-s, ngjalli reagime të shumta në opinionin publik, por këtë herë nuk ishte thjeshtë keqardhje, për humbjen e një gazetari me kontribut të dallueshëm në kulturë, art e ndoshta tërthorazi dhe në opinionin publik lidhur me politikën. Krejt e kundërta nga ç’ndodh me personalitetet të njohur, kjo ishte më tepër keqardhje për humbjen e njeriut.

Gazetari i reportazheve dhe i historive njerëzore mbeti në mendjen e atyre të cilët e njohën. Një njeri shpirtëror, altruist, i cili kurrë nuk pranoi të bënte kompromise.

“Gjëja më e shenjtë që kishte ishte mungesa e kompromisit”.

“Kishte bërë një marrëveshje me veten dhe me të tjerët që për hir të punës dhe të profesionit të tij, nuk do të pranonte asnjë lloj atributi, apo gjëra që ne na i lehtësojnë jetën e përditshme. Por kjo ishte një kosto që e bënte të pavarur. Nga ana tjetër i jepte të gjitha të drejtat për të thënë të vërtetën”, tregon gazetarja Klodiana Kapo.

“Unë i kam bërë një pyetje dhe i kam thënë nëse do të mund të rikthehej jeta jote, a do ishe pishman për diçka dhe Tosi tha jo. Për absolutisht asnjë gjë, jam i lumtur që e kam jetuar jetën kështu, që kam takuar kaq shumë njerëz, që kam lëvizur kaq shumë nëpër Shqipëri “, rrëfen producentja Gerta Qurku.

“Blloku këtu mbrapa, lapsi, cigarja këtu, makina dhe ku? Ekstremi verior, ekstremi jugor i Shqipërisë, ai fshati i humbur”, tregon gazetari Rezear Xhaxhiu.

“Tosi ishte i veçantë, jo vetëm për mjeshtërinë e madhe, penën, që i kishte, por kishte një ndjeshmëri. Ishte diçka midis gazetarisë dhe letërsisë“, shprehet politikani Dashamir Shehi./tvklan.al