Lokali tek “Myslym Shyri” u dogj qëllimisht

Zjarri në një lokal në zonën e Myslym Shyrit në kryeqytet 10 ditë më parë ka qenë i qëllimshëm. Kjo është zbuluar nga hetuesit pas zbardhjes së kamerave të sigurisë të cilët kanë pikasur një të ri i cili hyn brenda ambienteve dhe e spërkat me benzinë.

I veshur sportiv, ai thyen xhamin e vetratës, kërcen dhe futet në ambientet e brendshme të lokalit dhe me një bidon në dorë derdh benzinën në tokë. Më pas ai del përjashta dhe ndez çakmakun duke i vënë flakën ambientit. Sipas burimeve të policisë, personi në fjalë ende nuk është identifikuar.

E gjithë ngjarja ka ndodhur brenda 60 sekondash, rreth orës 22:42 minuta të datës 14 Maj. Fatmirësisht nga zjarri pati vetëm dëme materiale, kjo dhe për shkakun se ngjarja ndodhi në orët e vona të natës, kur lokali ishte i mbyllur.

Efektivët e Komisariatit Nr.2 kanë marrë në pyetje disa persona, mes tyre edhe pronarin e lokalit. Ai ka mohuar të ketë konflikte apo të ketë persona të dyshuar, por pavarësisht kësaj janë duke u kryer verifikime. Megjithatë, policia nuk përjashton që ngjarja të ketë lidhje dhe me konkurrencën.

Klan News