“BE Coffee” është programi më i ri që ka nisur në Tv Klan, i integruar brenda spektaklit “E Diela Shqiptare”. Erion Isai dhe Bes Kallaku janë dy drejtuesit e këtij programi, së bashku me aktorin Olsi Bylyku. Por çfarë do të thotë “BE Coffee”?  Besi dhe Erion kafe apo…

Më mirë le të ndjekim protagonistët e këtij programi, të cilët na sqarojnë se çfarë do të thotë “BE Coffee”.

Erion Isai:

Më pëlqen emri i emisionit, BE Coffee. Domethënë, Besi, Erioni, kafe.

Bes Kallaku:

O Erion, unë e ti nuk jemi dashnorë që të gdhendim inicialet tek muri i shkollës.

Erion Isai:

Po çfarë domethënë?

Bes Kallaku:

BE Coffee domethënë Bashkim Evropian kafe.

Erion Isai:

Po mirë dakord, Bashkimin Evropian e kuptoj dhe rri. Po kafeja mbrapa?

Bes Kallaku:

A bëjnë dot shqiptarët pa kafe? Të jesh në shtëpi a rrihet dot pa kafe? Po kafja është institucion, është në qeveri, është në shoqëri, si në shtëpi, si në familje. A shihen dot telenovelat turke pa një kafe mi gra? Sot kafja në shoqërinë shqiptare është kult. Po ti je duke pirë kafe, vjen shoku të fut krahun vjen të thotë hajde pimë një kafe. Ti shkon në zyrë të tjerë për të mbaruar punë, thotë hajde ikim te kafja të mbaroj punë. Ti i jep zarfin dhe i thua mbaje një kafe. Ai pasi ka marrë kafen të thotë, po e do një kafe dhe ai atje lart. Ne pa kafe nuk bëjmë dot.

Erion Isai:

Megjithatë, edhe Besi, Erioni rrinte si titull emisioni. Pse të mos jemi dhe ne të dy si Rudina? Pse të mos jemi dhe ne të dy si Xing me Ermalin. Apo si Luana, që ‘Shiko kush luan’ në fund vë kullën Eifel dhe në luan bëhet Luana.

Bes Kallaku:

Ose pse mos të jemi si Aldo Morning Show?

Erion Isai: E shikon që Besi dhe Erioni rrinte bukur?

Bes Kallaku:

Ore nuk rri!

Erion Isai:

Pse?

Bes Kallaku:

Sepse ne kemi edhe një tjetër mes nesh. Kemi atë…Zonja dhe zotërinj….

Olsi Bylyku:

Stop! Çfarë ishte ky prezantim sikur po vijnë krushqit. Jepi çik muzik.

Bes Kallaku:

Këtë që po thua ti e kemi bërë unë dhe Erioni në Këngën Magjike.

Olsi Bylyku:

Na keni çarë kokën me këtë Këngën Magjike ju. A thua se e krijuat ju Këngën Magjike, jo e prezantuat.

Erion Isai:

Vjen tani në skenë Olsi Bylyku.

“Pa sheqer” do të jetë rubrika e parë e programit “BE Coffee”, aty ku gjërat thuhen troç dhe të vërtetat sikurse janë. Sigurisht, edhe me disa doza humori. Si fillim, treshja e aktorëve diskutuan për atë që mund ta quajmë “merkato mediatike”. Blendi Fevziu ishte një prej lajmeve më të “nxehta” të kësaj vere.

Bes Kallaku:

Gjithë vera më shkoi me ankth, me stres. Shikoja haluçinacione. A do ikte Fevziu nga Klani apo jo?

Olsi Bylyku:

Ti mirë, po ne lamë dasmën e gocës së hallës pa bërë, se nuk e dinim çfarë do bënte Fevziu.

Bes Kallaku:

Edhe Cristiano Ronaldo vonoi transferimin nga Reali te Juvja. Nuk ishte i sigurt nëse do lëvizte Fevziu nga Klani ose jo. Sepse nëse Fevziu do lëvizte, nuk do bënte kaq bujë Cristiano Ronaldo.

Olsi Bylyku:

A e di si e bëri Fevziu? Si Big Brother. Unë ……(suspansë)…kam vendosur…(suspansë)….që…. Deri sa ia dha Sandri edhe ndejti në Klan. Kështu që sa më pak tum tum me Sandrin, se pastaj tum-tum edhe ne në shtëpi.

Në “BE Caffee” trajtohen edhe tema të tjera, e një ndër to është edhe fakti se shumica e këngëve shqiptare bëhen me dialekt kosovar. Duke folur për këtë, Olsi Bylyku nuk mund të kursente një batutë për Besin.

Olsi Bylyku:

Po kur bën dhe ajo Xhensila, burrin katunar, vetë nga Kolonja, edhe këndon sikur të jetë goca e Sabri Fejzullahut.

Në “BE Caffee” çdo javë do të jepen edhe filma të shkurtër ku do të trajtohen tema të ndryshme, si dhe nuk do të mungojnë të ftuar të fushave të ndryshme. /

tvklan.al