Data për hapjen e negociatave për anëtarësim të Bashkimit Europian me Shqipërinë është kthyer në temë kryesore debati mes kryeministrit Edi Rama dhe kryeopozitarit Lulzim Basha në Kuvend.

Kryeministri Edi Rama tha se data për hapjen e negociatave është vendosur dhe ajo është Qershori 2019, ndërsa Basha tha se vendimi për hapjen ose jo të negociatave do të shqyrtohet në Qershor të vitit tjetër.

“Qershori tjetër do të jetë edhe me keq se ky Qershor…E vërteta është se Këshilli Europian nuk do të vendosë sot për hapjen e negociatave. Vendimi për hapjen ose jo të negociatave do të shqyrtohet në Qershor 2019, sepse Shqipëria nuk i ka plotësuar kushtet, sepse Shqipërisë i janë shtuar kushtet, sepse kemi një kryegënjeshtar si kryeministër. Kjo është arsyeja se pse Shqipërisë nuk i hapen negociatat. Ndaj Esat, Haxhi Qamil dhe Hamza Kastriot kemi një dhe vetëm një njeri. Njeriun që zgjodhi të tradhëtojë interesat e shqiptarë, të tradhëtojë aspiratën tonë për të qënë pjesë e familjes së madhe europiane, për hir të Habilajve, të Balilajve, të Xhafajve. Për hir të Saimir Tahirit, për hir të një grushti kriminelësh me të cilët e ka lidhur në mënyrë të pazgjidhshme  fatin e vet politik dhe personal.”

Akuzave të Ramës se po punojnë kundër Shqipërisë, Basha iu përgjigj:

“Tradhtari i Shqipërisë nuk është ai që denoncon drogën, krimin dhe korrupsionin, por ai që e solli drogën dhe krimin”.

Kreu i opozitës Basha tha nga 5 që ishin kushtet e BE-së për hapjen e negociatave, tani janë vendosur 13.

Nuk janë më 5 kushtet fillestare, janë 13 sa i përket Këshillit të Ministrave të Bashkimit Europian dhe, akoma më shumë, sa i përket vendeve anëtare. Qytetarët duhet ta kuptojnë: vendimin për të hapur negociatat e marrin vendet anëtare. Mjafton një vend anëtar të shfaqë rezerva dhe vendimi nuk merret. Vendet anëtare kanë insistuar, më i madhi ndër vendet anëtare, Gjermania ka insistuar që jo vetëm do të ketë një kontroll rigoroz të plotësimit të 13 kushteve, jo vetëm Komisioni Europian do ta bëjë nga fillimi detyrën. Prandaj vjen në korrik, jo për t’i krehur bishtin Edi Ramës, tradhtarit të interesave të shqiptarëve, që për Fatmir Xhafën, për Agron Xhafën, për Saimir Tahirin ia mbylli negociatat shqiptarëve edhe këtë vit, por për të kontrolluar kushtet dhe zbatimin e tyre

.” /tvklan.al