Dështimin për të rënë dakord mes ministrave të Jashtëm të vendeve anëtare të BE për të dhënë një datë për Konferencën e Parë Ndërqeveritare për negociatat me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, Kryeministri Edi Rama e konsideron dështim të Bashkimit Europian dhe jo problem të dy vendeve ballkanike.

Në një forum ekonomik në Shkup të Maqedonisë së Veriut ku Rama mori pjesë sot, gjatë fjalës së tij tha se ky vendim nuk ishte surprizues për të. Por nga ana tjetër shtoi se Shqipëria do të vijojë reformat pavarësisht se nuk u dha asnjë datë për nisjen e negociatave me BE.

“Nuk është hera e parë që dështojnë ata. Unë po prisja me emocion një vendim pozitiv të bazuar në meritat tona. Në çdo gjë që na është kërkuar ne i kemi realizuar. Po nuk po ndodh ajo që ne prisnim. Na kërkuan gjithçka dhe ne i realizuam dëtyrat. Unë nuk jam i demoralizuar. Do të vazhdojmë punën. Ne ishim gati dhe më parë për të nisur bisedimet. Ata kanë problemet e brendshme politike, por jo çdo rast kur në shtetet e tjera anëtare ka zgjedhje politike ne duhet të pengohemi, jo nuk ndodh kjo.

Ne i bëjmë refomrat për njerëzit tanë, për qytetarët tanë që ata ta ndjejnë perspektivën europiane afër tyre. Ata mund të dështojnë për marrjen e një vendimi pozitiv për ne. Ne kemi bërë përpjekje të mëdha për të ecur përpara. Ne nuk dështuam, por ata kanë arsyet e tyre për këtë vendim që nuk e morën në favor të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut mbrëmë. Ne nuk jemi ende pjesë e BE. Por ne ndjehemi sepse jemi pjesë thelbësore e BE. Jemi brenda kufijve të Europës së bashkuar, por nuk jemi pjesë e shtëpisë së tyre. Më duket absurde gjithë kjo situatë”, deklaroi Kryeministri Edi Rama. /tvklan.al