Të vdekur dhe të plagosur në rrugë

Të paktën 170 milionë amerikanë janë në alarm për kushtet ekstreme të motit, ku përfshihen rrugët e zëna nga akulli, ndërprerjet e energjisë elektrike dhe temperaturat e ulëta që kërcënojnë të krijojnë probleme në trafik dhe të paralizojnë qytetet nga bregu lindor në atë perëndimor. Në pjesën qendrore të vendit, të paktën 11 persona kanë vdekur në aksidente rrugore për shkak të motit, që kur temperaturat nën zero përfshinë vendin. Nëntë persona vdiqën në tri incidente të veçuara në Teksas, një person në Kentaki dhe një tjetër vdiq në Oklahoma të dielën.

Më shumë se 3,4 milionë klientë kanë mbetur pa energji nga sot pasdite herët, me më shumë se 2,8 milionë ndërprerje të raportuara në Teksas, ku ndërprerjet e energjisë filluan gjatë natës për shkak të kërkesës së lartë. Moti i keq ka përfshirë vendin mbarë, me më shumë se një të tretën e SHBA-së kontinentale që regjistroi temperatura nën zero. Në Kansas City temperatura arriti në minus 32 gradë Celsius, më e ftohta nga viti 1989, minus 5 në Dallas dhe minus 6 në Oklahoma City.

Sasia e dëborës e regjistruar në Brownsville, Teksas, ka ndodhur vetëm dy herë që kur regjistrimet filluan në 1898. Moti i acartë ka rezultuar edhe në të paktën shtatë shtete, përfshirë Alabamën, Oregonin, Oklahomën, Kansasin, Kentakin, Misisipin dhe Teksasin. Rrugët e akullta në Teksas tashmë janë provuar vdekjeprurëse. Një grumbullim prej 10 makinash në rrugën ndërshtetërore 45, në jug të qendrës së qytetit, ishte vetëm një nga shumë incidentet në rrugët e përfshira nga akulli. Trafiku ajror u ndalua, të paktën përkohësisht, në pesë aeroporte. Rreth 3 000 fluturime të brendshme dhe të jashtme u anuluan.

Klan Plus