Problemi i konsultores në Kavajë prej kohësh ka shqetësuar qytetarët, por për drejtorin e Njësisë Vendore të Kujdesit Shëndetësor në Kavajë, të gjithë mjekët janë në punë.

“Stop” kontaktoi me të dhe ai thotë se secili merr përsipër detyrën e vet dhe ai nuk i jepte llogari gazetares, e cila i tregoi shqetësimin e qytetarëve. Ndërsa thonë se doktoreshë Natashës nuk mund t’i kërkojë askush llogari për oraret, për sa kohë ajo punon vullnetare.

Gazetarja: Përshëndetje! Si jeni?

Drejtori: Mirë! Si jeni ju?

Gazetarja: Përgjigjesh ti për mjekët, që janë në njësi, janë në konsultore apo s’janë në konsultore?

Drejtori: Mjekët janë në detyrë, kaq di të them unë.

Gazetarja: Janë mjekët të gjithë në detyrë?

Drejtori: Po!

Gazetarja: Të gjithë? Përgjigjesh ti për këtë?

Drejtori: Janë në detyrë të gjithë mjekët. Ti kishe ndonjë gjë konkrete?

Gazetarja: Përgjigjesh ti për këtë thashë?

Drejtori: Secili merr përsipër detyrën e vet dhe unë nuk të jap llogari ty!

Gazetarja: Ke mjek tani tek konsultorja e gruas?

Drejtori: Mjek është ai, që ka turnin dhe detyrën, që ka për të dhënë.

Gazetarja: S’janë me turn tek konsultorja e gruas.

Drejtori: Të thashë, unë nuk jam mjek. Jam drejtor i përgjithshëm i njësisë së kujdesit shëndetësor.

Duke qenë se konsultorja e gruas varet nga Qendra Shëndetësore në Kavajë “Stop” shkoi në këtë institucion dhe kërkoi shpjegime lidhur problemin e mungesës së mjekëve.

Gazetarja: Ju e dini, që nuk ka mjek tek konsultorja e gruas?

Drejtoresha: Po, patjetër, se është shpall vend vakant ai. Natasha, që ka vite që punon aty, i ka ndërprerë marrëdhëniet me qendrën shëndetësore që në prill të 2020-ës. Në fakt ka bërë dy kërkesa zyrtare për shtyrje pensioni.

Ne nuk kemi përgjigje, që të jetë shtyrë pensioni. Në portal është vend vakant. Nuk ka patur asnjë lloj kërkese nga mjek obstetër-gjinekolog, se aty duhet mjek obstetër-gjinekolog. Ajo vjen mbledh takimet e javës ose të ditës, se ajo nuk paguhet. Nuk ka të drejtë as dhënie raportesh, as dhënie lejesh para barre. Domethënë, ajo nuk ka asnjë të drejtë ligjore.

Gazetarja: Po ajo po i ndjek gratë, për raportet.

Drejtoresha: Po i ndjek vullnetarisht. Ca do t’i thuash asaj, pse vjen në orën 2? Po në atë orar, thotë kam mundësi.

Ndërkohë tek Qendra Shëndetësore në Kavajë pranon problemin e mungesës së konsultores, por dhe për kushtet e këqija ku zhvillohen konsultat e grave shtatzënë.

Gazetarja: Ju besoj e dini, çfarë kushtesh janë atje, apo jo?

Drejtoresha: Po, e dimë! Është çështje e komplikuar, sepse duhet të futen në tendera. Ka procedura. Jemi në proces akreditimi. Dhe me procesin e akreditimit. Shpresojmë, që Qendra Shëndetësore bashkë me konsultorin, ta futim në qendrat, që do rikonstruktohen. Janë probleme të vjetra, nuk janë probleme sot. Sepse unë 7 muaj drejtoreshë kam. Po shqyrtohen, po shikojnë, sepse ne bëjmë kërkesa.

Gazetarja: Çfarë do bëhet me kushtet e asaj?

Drejtoresha: Po do rregullohen.

Gazetarja: Ishte premtim elektoral ky?

Drejtoresha: Nuk ka lidhje fare, premtim elektoral, po do rregullohen. Unë nuk mbaj përgjegjësi, çfarë është bërë para meje. Nuk është ngrit më përpara zëri.

Ajo, si godinë, është nën varësinë tonë, por si godinë është pranë Njvksh-së. Ka një cikë probleme ligjore, që të merret rikonstruksioni asaj. Do rregulluar çështja ligjore, që të fillojë dhe pastaj të marrim dhe fondet, se s’janë as fondet./tvklan.al