“Bullgaria ka marrë peng Shqipërinë dhe RMV-në”

Nuk pati tym të bardhë në Bruksel. Vendet e Bashkimit Europian dështuan në misionin e tyre për të bindur Bullgarinë për të hequr veton ndaj Shkupit dhe për t’i dhënë dritë jeshile çeljes së negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Kryeministri Edi Rama u shpreh se Bashkimi Europian nuk e mbajti fjalën dhe akuzoi Bullgarinë se mbajti peng vendeve të NATO-s.

“Kjo çështja e Bullgarisë është një turp, një vend i NATO-s që merr peng dy vende të tjera të NATO-s, ndërkohë që në oborr të Europës ka një luftë dhe nën sytë e 26 vendeve që janë krejt të pafuqishme së bashku”.

I pyetur nga Tv Klan nëse pas këtij bllokimi fshihet dikush tjetër, Rama ishte i prerë.

Pyetje: Po thoni që është një justifikim vetoja bullgare për Bashkimin Europian.

“Jo, nuk mendoj e nuk kam nënkuptuar në asnjë mënyrë që është dikush apo ka disa të tjerë pas çmendurisë bullgare, jo. Është vendim i Bullgarisë dhe më duhet të jem shumë i qartë për audiencën bullgare, që unë nuk është se nuk e respektoj. Respektoj, në të kundërt, çdo shqetësim që ata kanë, por jam tërësisht jo dakord dhe në fakt nuk jam absolutisht dakord me mënyrën sesi ata po e bëjnë këtë gjë, duke marrë peng një vend anëtar të NATO-s, në fakt dy.”

I zhgënjyer ishte edhe Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, që quajti një goditje serioze për BE-në.

“Ka mëse 20 vjet që Maqedonia e Veriut është vend me statusin e vendit kandidat. Është një problem serioz dhe një goditje serioze e BE. Në nuk mund të lejojmë që një problem dypalësh të shndërrohet në shumëpalësh. Është koha që BE të përmbushë detyrimet e veta përpara se kërkojë gjëra të tjera”.

Në krah të Tiranës dhe Shkupit ishte edhe presidenti Serb Aleksandër Vuçiç.

“Ne e kuptojmë njëri tjetrin dhe Serbia ishte mjaft mbështetëse për çeljen e negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë, por asgjë nuk ndodhi. Unë mendoj se ato e meritonin dhe do ta marrin sa më shpejt, të dyja vendet kanë bërë gjithçka në përputhje me rregulloren evropiane.

Një tjetër zhgënjim i Ramës është mos liberalizimi i vizave për Kosovën.

“Ka një tjetër pengmarrje në proces, që është pengmarrja e qytetarëve të Kosovës, të cilët nuk lejohen të lëvizin lirisht në Europë. Është popullata e vetme në tokën e Europës që nuk mund të lëvizë lirisht. Kjo është çmenduri, kjo është e turpshme, kjo duhet të marrë fund dhe njerëzit duhet të lejohen të lëvizin lirisht”.

Rama, Vuçiç dhe Kovaçevski mbrojtën edhe në Bruksel nismën Ballkani i Hapur.

“Aleksandri e quajti e “ashtuquajtura Kosovë”, unë e quaj Kosovë dhe pikë, por kjo nuk na ndalon të punojmë së bashku. Imagjinoni sikur ne të luftonim, të ziheshim me njeri-tjetrin. Çfarë vendi do të kishte qenë Ballkani sot?”

Pas këtij vendimi zhgënjyes, Shqipëria pritet të kërkoje ndarjen nga vlerësimi me Maqedoninë e Veriut për të mos mbetur peng i përplasjes mes Sofjes dhe Shkupit. 

“Mendoj që do të arrijmë në BE. Kjo është e sigurt. Me shpresë përpara shekullit tjetër, po shekullin tjetër kjo është e sigurt”.

Tv Klan