Mbyllet Samiti i BE, nuk çelen negociatat për Tiranën e Shkupin




Mbyllet Samiti i BE, nuk çelen negociatat për Tiranën e Shkupin

17:01 24/06/2022

Macron: Ka çështje teknike për t’u zgjidhur

Përfundoi në Bruksel samiti 2 ditor i Bashkimit Europian pa rezultate konkrete për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Në raportin e publikuar pas takimit vihet re se nuk është firmosur nisja e bisedimeve për çeljen e negociatave. Në një konferencë për shtyp Presidenti Francez Emmanuel Macron përshëndeti vendimin e parlamentit bullgar.

“Dua të përgëzoj parlamentin bullgar për votën që hap rrugën për mundësinë e heqjes së vetos dhe për fillimin e negociatave me Maqedoninë e Veriut dhe për pasojë edhe për Shqipërinë. Puna jonë do të vijojë në tryezën e dialogut mes Shkupit dhe Sofjes për të zgjidhur edhe çështjet e fundit teknike në ditët në vijim”.

Edhe presidenti i Këshillit Europian, Charles Michel tha se vendimi i parlamentit bullgar ishte një sinjal i mirë.

“Përgëzoj presidencën franceze mbi punën e saj të jashtëzakonshme në disa fusha, veçanërisht mbi ecurinë e çështjes së negociatave në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Heqja e vetos bullgare, një lajm i mirë për Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë”.

Ndërsa Komisioneri për Zgjerimin, Oliver Varhelyi u shpreh se tashmë Bashkimi Euopian duhet të vendosë për të mbajtur Konferencën e Parë Ndërqeveritare me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë. Vendimi pritet që tashmë të merret në samitin e ardhshëm krerëve të BE në vjeshtë.

Tv Klan










Të ngjashme