Durrësi dhe Thumana janë dy zonat më të prekura nga tërmeti shkatërrimtar që goditi Shqipërinë mëngjesin e së martës. Deri më tani, Ministria e Mbrojtjes ka konfirmuar se të vdekur kanë mbetur 28 persona.

Por përveç jetëve të humbura, shtëpi të tëra janë shkatërruar duke lënë familje të tëra në qiell të hapur. Kryeministri Edi Rama gjatë një prononcimi për mediat këtë të mërkurë deklaroi se ka nisur një proces për dërgimin e familjeve të prekura nga tërmeti nëpër hotele.

Megjithatë, kreu i qeverisë theksoi se “nuk ka një shkop magjik në këto punë”, duke qenë se situata është ajo e një krize.

“Nuk ka një shkop magjik në këto punë. Është një situatë krize. Të gjithë janë të mirëkuptuar, por duhet mirëkuptuar nevoja për të pasur pak proces. Ne gjatë gjithë ditës së sotme jemi marrë për listimin e këtyre familjeve. Po fillon spostimi i disa familjeve të caktuara nga fusha e Durrësit drejt hoteleve. Edhe këtu janë bërë listat. Po shikohet se çfarë ka ndodhur pak më larg se këtu në zonën e Laçit, ku prapë se prapë janë një numër familjesh të rrezikuara për shkak të tërmeteve të fundit”, tha Rama.

Kryeministri siguroi të gjithë banorët se nuk do të mbeten pas dore. Rama deklaroi që duhen ndarë edhe familjet të cilat janë prekur seriozisht nga tërmeti nga ata që kërkojnë të abuzojnë.

“Jemi të qartë se çfarë do bëjmë. Nuk do lemë minutë pa shfrytëzuar. Shkop magjik nuk kemi, do donim të gjitha t’i zgjidhnim përnjëherë. Ky është proces i vështirë. Duhet të ndajmë të njomin nga të thatin, me ata që janë vërtetë në nevojë. Duhet të përgatisim një proces transparent për ndihmat sepse dihet jo vetëm këtu, por në të gjithë botën rreziku  i abuzimit ekziston. Do bëjmë maksimumin që askush që ka mbetur pa shtëpi, si rezultat i kësaj pabesie të natyrës, nuk do mbetet pas dore. Kjo nuk diskutohet”, u shpreh Rama. /tvklan.al