Edhe pse respekton zgjedhjet nuk do të dalë për fushatë. Kështu u shpreh kryeministri Edi Rama gjatë një bashkëbisedimi me qytetarët e Vlorës dhe tha se do të bëjë vetëm gjërat që thotë.

Kreu i qeverisë u shpreh se nuk ka program për të prezantuar, por plan veprimi për katër vitet e ardhshme dhe vizionin për “Shqipërinë 2030”. Një nga pikat që preku kryeministri Edi Rama ishte taksa progresive, ku shtoi se po diskutohet që të ndryshohet skema vitin e ardhshëm.

“Unë nuk kam dalë në fushatë. Kemi zgjedhje e respektojmë, por ne nuk kemi gjëra për të premtuar, por gjëra për të bërë. Nuk kemi ne gjëra për të premtuar dhe kush do tramvaj nuk duhet të na votojë ne. Ne tramvaj në Vlorë nuk do të ndërtojmë. Po jua tha njeri këtë mos e besoni, ju gënjen. Po jua tha Lesko besojeni. Ne do bëjmë gjërat që do themi dhe do themi vetëm gjërat që do bëjmë.

Duam që vitin e ardhshëm të ndryshojmë skemën e progresivitetit të taksës dhe duam që shqiptarët që marrin deri në 400 mijë lekë të mos kenë asnjë taksë. Në këto momente është për ata që kanë 300 mijë Lekë. Po e diskutojmë sepse bëjmë kalkulime. Ne nuk mund të bëjmë premtime dhe pastaj të thuhet pse nuk i bëre. ne jemi në qeveri dhe ne do të jemi në qeveri që të jeni të qartë dhe duhet të jemi të kujdesshëm se ajo që do të themi është gjëja që realisht do të bëhet. Thamë që do bëjmë zero taksën e biznesit dhe e bëmë. Ne nuk do i kemi për fushatë sepse fushata mbaron dhe pastaj jemi përballë faktit të shëmtuar që paskemi fol kot. Ne duam të rrisim tavanin ku numërohet 23% duke u nisur nga 300 mijëshi. Deri tek 300 mijë s’ka taksë. Duam ta çojmë deri në 2 mln këtë. Po bëjmë kalkulimin e do të prezantojmë planin e veprimit 2021-2025, vizionin 2030 dhe nëse na dalin llogaritë për vitin e ardhshëm do e themi vitin e ardhshëm. E sigurta është që do të jetë  me patjetër në 1 Janar 2023. Po kalkulojmë nëse mund ta bëjmë që në 2022 dhe nëse del i besueshëm do ta bëjmë”, tha Rama./tvklan.al