Miratimi i të ashtuquajturit “ligji i skllavërimit” nxorri për të dhjetën natë radhazi mijëra qytetarë në rrugët e Budapestit.

Hungarezët protestojnë kundër reformës për ligjin e punës, që i jep të drejtën punëdhënësve të kërkojnë nga punonjësit 400 orë pune shtesë në vit. Por pagesa e këtyre orëve mund të shlyhet pas deri në 3 vite.

Qytetarët kundërshtojnë me forcë vendimin e Kryeministrit Viktor Orban, ndaj të cilit nuk munguan as krahasimet me regjimin e Vladimir Putinit.

“Më vjen keq ta them po kjo është ndoshta mundësia e fundit për të treguar zemërimin e popullit. Kam frikë se vitin e ardhshëm nuk do ta kemi mundësinë të tregojmë opinionin tonë. Falemiderit për gjithçka, falë jush tani do të punojmë 8 ditë në javë”.

Kryeministri Viktor Orban shpjegoi se qëllimi i ligjit ishte të hiqte rregullat e kota për ata që duan të punojnë më shumë. Shefi i qeverisë nuk nguroi të sulmonte protestuesit duke i quajtur histerikë që ulërasin për fundin e botës.

Tv Klan