Anahi  Martinez është një meksikane e cila duke dëgjuar zemrën e la vendin e saj për të ardhur e për të krijuar jetën e saj në Shqipëri. Ajo ishte e ftuar këtë të premte në emisionin “Rudina” në Tv Klan kur tregoi për eksperiencën e saj në Shqipëri.

Anahi tregoi se ajo është ndier si në shtëpi, njerëzit kanë qenë gjithmonë mikpritës e të gatshëm për ta ndihmuar. Gjithashtu ajo tregon se Shqipëria i duket një vend i sigurt ku nuk ke frikë të ecësh vetëm në rrugë e ku nëse harron portofolin në një kafene mund ta gjesh sërish.

Rudina Magjistari: Si ke ardhur ti nga Meksika në Shqipëri? Si ndodhi?

Anahi  Martinez:  Është gjithashtu një histori dashuri.

Rudina Magjistari: Një histori dashurie edhe për ty?

Anahi  Martinez:  Po, në fakt kam takuar shqiptarin e parë në jetën time dhe rashë në dashuri edhe me shqiptarin edhe me Shqipërinë. Unë erdha në Shqipëri për herë të parë në vitin 2013 dhe nuk ika më. Zemra ime ka qëndruar këtu.

Rudina Magjistari: U ndjeve menjëherë në shtëpi. Po si ndodhi që erdhe këtu, ishe njohur me djalin që dashuroje?

Anahi  Martinez: Jemi njohur në Londër sepse ishim studentë bashkë në një program master në një universitet në Londër dhe në fakt kur jemi takuar unë e  pyeta nga je dhe ai më tha nga Shqipëria. Ishte hera e parë që kisha dëgjuar për vendin, kështu që e pyeta Albany,  New York City, jo më tha nga Shqipëria. Pastaj ai më ka ftuar për herë të të parë në Shqipëri dhe kemi bërë një udhëtim, një  tur nga veriu në jug, në Shqipërinë e mesme dhe kam parë vendet më të bukura që në fillim fare. Për mua ka qenë një eksperiencë  shumë e bukur sepse nga fillimi unë u ndjeva si në shtëpi, njerëzit janë gjithmonë me vullnet për të ndihmuar për çdo gjë.  Është diçka që më ka habitur shumë. Një tjetër gjë që më pëlqen shumë është se unë ndihem shumë e sigurt në këtë vend. Ti mund të ecësh në rrugë deri vonë dhe nuk ke asnjë moment frikë se do të vjedhin. Kam harruar portofolin nëpër kafe dhe e kam gjetur prapë. Është diçka që ka shumë vlerë. /tvklan.al