Raketat ruse sulmuan të hënën një qendër tregtare në qytetin e Kremenchuk, ku mbetën të vrarë 18 persona dhe shumë të tjerë të plagosur. Të plagosurit të cilët ndodhen në spital kanë rrëfyer për BBC rreth momentit të sulmit.

Maksym Mussienko 26 vjeç, ishte duke punuar në dyqanin e pajisjeve elektronike në qendrën tregtare “Kremenchuk”, duke ndihmuar klientët të blinin kondicioner për të luftuar të nxehtin.

Ai tha se në atë moment ishin rreth 100 klientë në dyqan.

“Ne po punonim. Kishte shumë njerëz në dyqan, por unë nuk mbaj mend asgjë pas kësaj”, tha ai.

“Qendra tregtare nuk është një vend i rrezikshëm për rusët. Ne mendonim se ishim shumë larg kufirit”, ka thënë Maksym.

Ai ka të çara në trup, shembje dhe gërvishtje të shumta.

Gruaja e tij, Viktoria, i qëndron pranë në spital. Ata sapo kishin festuar përvjetorin e tyre dhe ditëlindja e saj është javën e ardhshme. Ajo ishte në shtëpi kur shpërthimi ndodhi dhe duke menduar më të keqen u përpoq menjëherë të telefononte burrin e saj.

“Ai e ngriti telefonin dhe më tha se ishte në mes të zjarrit”, tha ajo.

Viktoria u ndihmua nga fqinjët e saj për të shkuar në qendrën tregtare. Ajo tregon se iu errën sytë kur i thanë se i shoqi ishte në spital.

“Ne nuk kemi pushtuar askënd, ne duam vetëm të jetojmë”, shtoi Maksym.

Ndërkohë në dhomën tjetër të spitalit,  një burrë me emrin Mykola tregon se u zgjua nën rrënoja pranë gruas së tij.

“U përpoqëm të dilnim. Ndihmova gruan time dhe një vajzë gjatë rrugës. Pashë njerëz të shtrirë përtokë,  disa nuk përgjigjeshin. Zjarri sa vinte po bëhej më i madh dhe unë isha duke ecur në xhama”, tha Mykola.

Qendra tregtare tashmë është e shkatërruar. Ekipet e shpëtimit janë ende në vendngjarje duke u përpjekur të nxjerrin mbeturinat të cilat janë gjithçka që ka mbetur nga ai vend./tvklan.al