Edhe mbledhja e sotme e Komisionit të Ankimimeve dhe Sanksioneve është shoqëruar me debate të forta. Shkak u bënë deklaratat e nënkomisioneres zgjedhore, Lealba Pelinku, e cila ishte ftuar në mbledhje për t’u përgjigjur në lidhje me rastet e dyshimta nga identifikimi elektronik në Gjirokastër me votimin e dyfishtë. Pelinku u shpreh se janë dy persona me të njëjtin identitet që kanë votuar dy herë në Gjirokastër. Sipas saj, këta persona rezultojnë të jenë nga administrata zgjedhore e Qendrave të Votimit pasi “është zgjedhur opsioni administratë zgjedhore” kur është përdorur pajisja PEI.

Nënkomisionerja Lealba Pelinku duke u përgjigjur pyetjeve të KAS

Duke u përgjigjur për 70 raste të tjera të dyshuara në Gjirokastër, Pelinku tha se nevojiten hetime të thelluara nga prokuroria. “KQZ-ja në këtë fazë nuk mundet dhe të verifikojë se cilit person i takon ajo shenjë gishti. Kjo duhet të jetë objekt i një hetimi në vëzhgim, për të verifikuar nga materialet e video regjistrimit në mënyrë të saktë se cilit i takon ajo”, tha ajo.

Pelinku tha se vetë operatorët që janë marrë me pajisjen PEI ditën e zgjedhjeve kanë bërë me dije se kanë pasur probleme me identifikimin e gishtërinjve sidomos në mosha madhore. Ajo u shpreh se për të përshpejtuar procesin operatorët kanë vendosur vetë gishtin edhe pse në shkelje të protokollit. “Nga vetë operatorët i është bërë me dije se kanë pasur vështirësi në marrjen e shenjave kryesisht të moshuarve në moshë të madhe. Për të përshpejtuar procesin kanë vendosur vetë me vendosjen e gishtit. Ky është informacion që na ka ardhur në rrugë telefonike ditën e zgjedhjeve”, tha Pelinku.

Por kjo dëshmi e Pelinkut është shoqëruar më pas me debate në KAS mes anëtarëve dhe përfaqësuesve ligjorë. Shkak u bënë pyetjet e Ilirjan Rusmajlit “Mos merrni zjarr kot se po krijohet përshtypja se çfarë po ndodh. Nuk po ndodh asgjë. Po kërkohet të çmohet vlera e provës. Ju keni përballë sot dokument dhe thënie dëshmitari kontradiktorë me njëri tjetrin”, tha Rusmajli duke iu drejtues përfaqësuesit ligjor të LSI-së, Altin Kaziaj.

Nga ana tjetër, ky i fundit tha se KAS nuk mund të kthehet në organ hetimor. “Ju e dini pozicioni e komisioneres, kështu që mos ta kthejmë në organ hetimor”, tha Kaziaj.

Përfaqësuesit ligjorë të partive politike në KQZ

Rusmajli ka pasur debate edhe me relatorin e çështjes.

Rusmajli: Pse nuk doni ta dini që administratorët tuaj janë për burg?

Braho: Nuk është e rëndësishme fare. Ju nuk doni të dini qindra prova që janë përfshirë këtu.

Pas debateve, Rusmajli është përgjigjur me tone të ashpra duke thënë se, “Nuk më pengoni dot të ushtroj detyrën time. Nuk më intimidoni dot”.

Komisioni i Ankesave dhe Sanksioneve do të vendosë sot për kërkesën për shpalljen të pavlefshme të votimeve në Berat dhe Gjirokastër./tvklan.al