Emisioni “Stop” në Tv Klan ka trajtuar në vazhdimësi historinë e qytetarit Gëzim Xhepexhiu, i cili përfundoi në burg në vend të të atit të tij, i cili kishte ndërtuar pa leje. Prej 4 muajsh ai po kryen dënimin në burgun e Rrogozhinës.

Por për shkak të situatës së krijuar nga koronavirusi, Gëzim Xhepexhiu ishte në listën e personave që përfituan amnisti për t’u liruar, pasi dënimi i tij është vepër e lehtë penale. Në fund të fundit, sikurse thotë edhe vetë ai, po kryen dënimin e të atit, pasi nuk ka ndërtuar ai pa leje por babai.

“Pas 5 muaj burg, nuk më zuri amnistia por më zuri virusi dhe dola me leje për 3 muaj. Pas 3 muajsh, prapë do fillojë historia se kam dhe 4 muaj burg për të bërë. Nëpërmjet emisionit “Stop” i bëj thirrje Kryeministrit ta rishikojë dhe njëherë amnistinë time. Përshëndes gjithë televizionin Klan, emisionin Stop, nuk kam për t’ju harruar kurrë”.

Por me të mbërritur në shtëpi, Gëzimi thotë për emisionin “Stop” se ai dhe gruaja kanë probleme shëndetësore. Disa ditë më parë rezultoi se tre punonjës të burgut të Rrogozhinës, drejtori, juristi dhe një polic, rezultuan pozitiv me koronavirus.

“Kërkuam para se të dilnim nga burg, që të ishim të sigurtë. Vetëm sa na u mat temperatura dhe asgjë më shumë. I kam telefonuar dy ditë rresht, ja tregova arsyen pse e kërkoja që të bëja tampon. Tani më grric pak fyti por temperaturë nuk kam”.

Sipas Gëzimit, burgu i Rrogozhinës nuk ka marrë masa mbrojtëse për të burgosurit, asnjë testim dhe asnjë mjekim, ndërkohë që juristi ka pasur kontakte me të gjithë familjarët e të burgosurve kur ata kanë dorëzuar dokumentacionin. /tvklan.al