Naile Berisha nga Durrësi ngre në “Stop” problemin e mosmarrjes së Kempit. Në Shtator të vitit 2018 ajo u diagnostikua me kancer gjiri. Pasi bëri biopsinë dhe operacionin, QSUT nisi dokumentet e saj nëpërmjet postës në Njësinë Administrative Numër 5 në Durrës, ku Nailja firmosi për t’i dërguar në komision. Në dokumente ishte dhe biopsia, por nga punonjësja e Njësisë Administrative iu tha se komisioni e ktheu dosjen, pasi mungonte.

“Ku humbi biopsia? Ajo kaloi në tre duar, në tre kontrolle. U dorëzua në sekretari, sekretaria e solli me postë te komuna, komuna i kontrolli të gjitha një për një dhe i çoi në komision. Si u zhduk kjo biopsi nuk e mora vesh. Kopjen e biopsisë unë nuk e kisha, pasi u futën në dosje. Unë kisha vetëm biopsinë pas operimit, ndërsa ajo që përcaktonte sëmundjen ishte ajo që u zhduk nga dosja”, u shpreh e shqetësuar denoncuesja.

Mjekja në Drejtorinë Rajonale të Shërbimit Social shpjegoi se Kempi i znj. Naile Berisha nuk ka nisur, pasi punonjësja e Shërbimit Social të Njësisë Admnistrative Numër 5 në Durrës nuk ka shkuar të marrë dosjen.

Mjekja DRSHS: Naile! Ti ke dalë në komision me datën 18 Prill, ke marrë grupin e dytë me afat 1-vjeçar. Në sistem je kështu, që ata mund ta konfirmojnë dhe në sistem. Në 1 Maj i fillon pagesa deri në 1 Maj 2020.

Ka ardhur Naile Berisha njëherë më 22 Shkurt, është kthyer po më 22 Shkurt sepse kontrollohet në moment dosja, biopsia i mungonte.

Gazetarja: Në dosjen e radhës që kanë sjellë e kanë futur biopsinë?

Mjekja: Sigurisht, që po, sepse nuk komisionohet pa atë.  Të vijnë ata ta marrin, zonja mund të tërheqë vërtetimin dhe të fillojë dhe pagesa.

Gazetare: Ata duhet të vijnë ta marrin?

Mjekja: Po! Ata vijnë e marrin.

Gazetarja: S’kanë ardhur ta marrin dhe këtë!

Mjekja: Jo! S’kanë ardhur!

Gazetarja: Ok! Faleminderit!

Ndaj dhe gazetarja e emisionit “Stop” sëbashku me denoncuesen iu drejtuan Njësisë Administrative Nr.5 të Bashkisë Durrës për t’u përballur me punonjësen, e cila i ka mohuar të drejtën znj.Naile Berisha të përfitojë Kempin që në muajin Shkurt.

Gazetarja: Sot që flasim, duhet të kishit shkuar të tërhiqnit dosjen, Bruna!

Punonjësja: Po nuk e kam këtu, moj Domenika!

Gazetarja: Bruna, shko e tërhiq dosjen sepse i ka dalë zonjës në sistem! Naile Berisha del me Kemp. Është grup i dytë, 105 mijë lekë nga data 1 Maj.

Punonjësja: Do marr dosjen dhe me vrap marr Nailen, ndërkohë Nailja e ka hapur numrin e llogarisë. Do të bëhet projekti dhe mbaroi puna. 

Falë interesimit të emisionit “Stop”, znj. Naile Berisha do të mund ta përfitojë Kempin për një vit, duke nisur nga data 1 Maj 2019. Por sipas moderatorëve Saimir Kodra dhe Gentian Zenelaj, zonja duhet t’i drejtohet zyrës ligjore për të kërkuar Kempin e munguar që nga muaji Shkurt, si dhe dëmshpërblim për stresin që i është shkaktuar për shkak të një neglizhence, pavarësisht gjendjes së saj shëndetësore./tvklan.al