“Stop” ka shkuar në Lushnje, për problemin e qytetarit Durim Ngreca. Ai është operuar në zemër në Janar 2018 dhe ka zëvendësuar valvolën e aortës, por nuk përfiton Kemp. KMCAP-i i Lushnjës ia ka nisur rastin për kompetencë KMCAP-it epror, edhe pse Durim Ngreca i plotëson të gjitha kriteret për të përfituar kemp.

“Më 17 Janar 2018 jam operuar, kam hequr valvulën e aortës, bashkë me aortën. Kur vajta në Komision, Komisioni më tha që letrat do shkojnë në Tiranë. I pyeta për çfarë arsye dhe më thanë se këtë punë e dinë ata. Letrat e mia vajtën në Tiranë dhe përgjigja erdhi negative. Nuk japin shpjegim për arsyet. Unë e plotësoj kriterin e sigurimit, sepse kam 33 vite pune dhe nga këto, 2017-n e kam paguar. Dhe nëse është për këtë them që është kot.”

Sipas Ligjit të Shërbimit Social, sa i përket sëmundjeve kardiake, qytetarit i takon Kemp 1 vit pas operacionit, por Ngreca nuk e ka marrë kurrë këtë. Ai thotë se nuk ka marrë asgjë, ndonëse i takon me ligj.

“Asgjë nuk kam marrë, edhe pse më takon më ligj. Gjithë ilaçet, plus që unë dua shoqërues… Unë nuk lëviz dot, marr vëllain kur shkoj në spital, në Tiranë, sepse mua më bie të fikët rrugës”.

Gazetarja sëbashku me qytetarin i drejtohen Sigurimeve Shoqërore të Lushnjës. Fatmir Muca, mjek specialist dhe anëtar i komisionit të Kempit, thotë se nuk ishin të qarta vitet e punës së Durim Ngrecës, por tani rasti do të rishqyrtohet dhe Durimi do të marrë Kempin që i takon.

Përgjegjësi-Këtë e kam kundërshtuar unë dhe them kështu, që të shkojë në Kempin Epror, vetëm për të përcaktuar saktë datën e fillimit të invaliditetit.

Gazetarja-Pse duhet të përcaktojë ky(Kempin Epror) kur ti e ke të qartë te Kempi Rajonal? S’e ke kuptuar ti!

Përgjegjësi-Jo, unë e kam kuptuar shumë drejtë!

Gazetarja-Prandaj ke kërkuar ti sqarim nga Kempi Epror, që t’i përcaktojë, se e ke kuptuar drejtë?

Përgjegjësi-Po! Edhe sikur ta kemi bërë negative, ashtu e menduam ne, për negative. Ai, Kempi Epror, për atë punë është!

“Do të zbatojmë rregullore, siç thotë rregullorja. Do të sjellë fletë drejtimi për Kemp, do të bëjë kërkesën poshtë, do të vijë dosja këtu dhe do të rishqyrtohet nga Komisioni jonë”,

 tha Muça.

Dhe në fakt KMPCAP-i rajonal i Lushnjes e ndoqi të gjithë praktikën për rishqyrtim. Gazetarja e Stop u interesua tek KMCAP-i Epror, ku iu tha se ky rast do të zgjidhet sepse u saktësuan vitet e punës.

/tvklan.al