I dënuar për vrasje dhe në një betejë të gjatë ligjore për të mos u deportuar, për shkak të së drejtës për të jetuar me familjen e tij në Britani, një shqiptar është xhiruar në video ndërkohë që kërcënon me thikë bashkëshorten.

Bëhet fjalë për Ardian Rragamin, 47-vjeçarin i cili vite më parë ekzekutoi me armë një person në Shqipëri. Në pamjet e publikuara nga e përditshmja The Sun, shqiptari shihet duke rrahur bashkëshorten në shtëpinë e tyre në Essex, si dhe duke e kërcënuar se do t’i presë fytin me thikë.

Prej 4 vitesh, Rragami është në një betejë ligjore me shtetin britanik, në mënyrë që të shmangë deportimin në Shqipëri, duke deklaruar se dëbimi do të shkatërronte familjen e tij të lumtur në Britani.

Por duket se këto pretendime nuk do të mund të qëndrojnë më, pas pamjeve të publikuara në mediat britanike, ku shqiptari shfaqet duke terrorizuar bashkëshorten Chrysoulla.

“Ardiani përdori të drejtën për të pasur një jetë familjare, në mënyrë që të kundërshtonte deportimin, por tani e ka humbur këtë të drejtë. I kam qëndruar në krah në të shkuarën, por derisa të deportohet nuk do të ndaloj asnjëherë”,

tha bashkëshortja e tij 49-vjeçare për mediat britanike.

Rragami u dënua nga Gjykata e Shkodrës me 15 vjet burg për vrasjen e Qemal Kolës, pas një sherri banal në një lokal. Por ai arriti të futej 2 herë ilegalisht në Britani. Megjithatë, përpjekjet e Home Office për ta dëbuar kanë hasur vështirësi, duke qenë se 47-vjeçari pretendonte se kjo binte në kundërshtim me të drejtat e tij njerëzore.

Sulmi ndaj bashkëshortes u filmua nga një prej mbesave, muajin e shkuar. Para gjykatës, ai pranoi se e kishte goditur Chrysoullan dhe e kishte prerë në nofull me thikë kuzhine, ashtu sikurse pranoi se kishte sulmuar një fëmijë.

Pavarësisht kësaj, Rragami doli i lirë nga gjykata, pasi u dënua me 8 muaj burg të lënë pezull. Nëse do të ishte dënuar me të paktën 12 muaj, ai do të ishte deportuar automatikisht.

Tani bashkëshortja e tij rrëfen për mediat britanike se ndihet e frikësuar dhe tregon që është detyruar të zhvendoset në një shtëpi, ku ai nuk mund ta gjejë.

Toleranca nga Gjykata e Basildon ndaj Rragamit do të thotë se ai është sërish i lirë nëpër rrugët e Britanisë dhe është gjithashtu i lirë për të vijuar betejën me Home Office, që sipas mediave britanike, përllogaritet t’i ketë kushtuar taksapaguesve të paktën 100 mijë paund.

Rragami u fut në Britani ilegalisht në 1998-n, pasi u arratis nga Shqipëria për t’i shpëtuar dënimit për vrasje. Ai u dha zyrtarëve britanikë emër fals, Ardian Gashi dhe deklaroi se ishte refugjat nga lufta e Kosovës. Kështu ai u lejua të qëndronte. Në vitin 2000, gjykata shqiptare e dënoi me 15 vjet burg në mungesë. 2 vjet më vonë ai u martua me Chrysoullan. Çifti u vendos në Wickford, Essex dhe kanë dy vajza, 13 dhe 15 vjeç. Ai u dënua me burg për vjedhje në Britani në vitin 2007.

Në vitin 2009 ishte Interpol që arriti ta gjente shqiptarin dhe nga ajo kohë nisën procedurat e ekstradimit. Ai u kthye në Shqipëri në vitin 2010, por qëndroi vetëm 4 vjet në burg, pasi e apeloi vendimin dhe dënimi iu ul.

Sapo u lirua, Rragami u rikthye sërish në Britani tek bashkëshortja. Ai u kap 2 vjet më vonë dhe nisi betejën e gjatë kundër deportimit.

//tvklan.al