Situata financiare tek Flamurtari solli edhe dy largime të tjera. Mbrojtësi Albi Alla e konfirmoi vetë në faqen e tij në rrjetet sociale. Lojtari do të vijojë tashmë karrierën në Kinë, ai madje ka firmosur për klubin e kategorisë së dytë Yenbian.

Akordi me klubin është se kuqezinjtë do të paguajnë për 6 muajt që mbrojtësi luajti në Vlorë me kushtin që futbollisti të mos pretendojë pjesën tjetër të kontratës duke iu drejtuar FSHF apo edhe FIFA-s. Alla ka falenderuar klubin vlonjat për 6 muajt e kaluar tek Flamurtari.

Drejt Kinës me shumë mundësi po në të njëjtin klub mund të shkojë është edhe Agustin Torassa. Argjentinasi nuk është parë në Vlorë këtë të martë teksa në rrjete sociale ai ka njoftuar largimin. Por ndryshe nga Alla, sulmuesi shpreh mirënjohjen vetëm për shokët e skuadrës.

Të dy lojtarët kishin përcaktuar afat ditën e premte për kalimin e pagave, çka nuk ka ndodhur. Burime nga klubi vlonjat bëjnë të ditur se edhe braziliani Elton Kale pritet që të ulet në bisedime me drejtuesit për zgjidhjen e çështjes. Këto janë largimet më të fundit nga Flamurtari, pas Bushic, Alvesh, Useini dhe Siljanovski.

Që prej 2014 klubi Flamurtari nuk merr asnjë financë nga bashkia e Vlorës. Kjo periudhë i përket kontratës së parë që klubi u mor në administrim nga disa kompani turke me përfaqësues Sinan Idrizin. Ky i fundit pretendon që të shlyhen borxhet e akumuluara gjatë periudhës kur klubi administrohej nga bashkia.

Tv Klan