Gaza-Sulmet nga toka të ushtrisë izraelite kanë vijuar me intensitet të lartë mbrëmjen e së premtes, duke u gdhirë e shtunë, duke i marrë jetën 10 civilëve palestinezë.

Bilanci i 12 ditëve sulme, nga ajri, deti dhe toka ka arritur së fundi në 316.

Ndërsa mbi 2270 janë të plagosurit. Mediat ndërkombëtare flasin edhe për një ushtar izraelit të vrarë gjatë një zjarri aksdental.

Situata ka detyruar deri më tani, 40 mijë palestinezë të strehoen në çadrat e ngritura nga Kombet e Bashkuara në Gaza. Banesat e tyre janë shkatërruar nga sulmet më të fundit.

Në mbledhjen e jashtëzakonshme të Këshillit të Sigurimit të OKB, ku u diskutua edhe për zhvillimet më të fundit në Rripin e Gazës, ambasadori izraelit e konsideroi secilën predhë të hedhur nga HAMAS në territorin e vendit të tij si një krim më vete kundër njerëzimit, pasi ato kanë për objektiv, civilë.

Ndërsa përfaqësuesi palestinez tha se agresioni i egër i Izraelit ndaj Gazës nuk justifikohet në asnjë mënyrë.

Nga Uashintoni, presidenti amerikan Barak Obama u shpreh i alarmuar ndaj situatës në Gaza.

Ai iu drejtua kryeministrit izraelit Benjamin Netanjahu të mos lejojë përshkallëzimin e mëtejshëm të situatës, megjithëse sipas tij, Izraeli ka të drejtën ligjore për t’u mbrojtur.

Tensionet kanë mbërritur edhe në lagjen e vjetër të Jeruzalemit, ky hyrja në të dhe në xhaminë Al-Aksa është e ndaluar për personat nën 50 vjeç.

Banorët ankohen për keqtrajtim nga ana e forcave izraelite të sigurisë.

Situata në Gaza ka shkaktuar tension edhe në Ankara.

Qindra persona sulmuan me gurë dhe sende të forta ambasadën izraelite në kryeqytetin turk.

Kjo detyroi forcat e rendit të shtojnë në maksimum masat e sigurisë.

Tv Klan