Komiteti teknik i ekspertëve: Problem infektimet e të rinjve e fëmijeve

Komiteti Teknik i Ekspertëve vendosi të mos ndryshonte masat anticovid dhe la në fuqi ato të 11 Shkurtit. Megjithatë sipas kryetares së Komitetit, Mira Rakacolli i vetmi ndryshim është zgjatja e mësimit online në shkollat e mesme në bashkitë me përhapje të lartë të covid.

“Në masat që vazhdojnë të mbeten në fuqi, është ajo e kufizimit të lëvizjeve të qytetarëve duke filluar nga ora 20:00, me përjashtim të atyre që kanë emergjenca shëndetësore ose punë të detyruara. Natyrisht, baret dhe restorantet do të vijojnë të mbyllen në ora 20:00. Shkollat e mesme në ato vende që janë përcaktuar, do të vazhdojnë të mbeten online dhe fluturimet me Britaninë e Madhe vazhdojnë të mbeten  të pezulluara edhe për një periudhë kohe.”

Rastet pozitive kanë pësuar ulje ditët e fundit sipas drejtoreshës së ISHP, Albana Fico, por problem mbetet infektimi me covid i moshave të reja.

“Nga dyjavëshi pararendës, sot nga mosha 15-24 deri në 55-64, janë 79% e rasteve të testuara pozitiv.”

Nëse javë më parë kishte rritje të shtrimit në spitale, kreu i Urgjencës Kombëtare, Skënder Brataj shprehet se javët e fundit ka një rënie të tyre.

“Numri i shtrimeve në spital, nga 44 në ditë që ishte në 26 Janar, është rritur në datën 8 Shkurt me 100 shtrime, duke arritur maksimumin më datë 15, 119 shtrime. Nga data 17 deri tani ka një ulje të shtrimit në spital, poshtë 100.”

Shqetësim mbetet edhe infektimi me covid-19 të moshave pediatrike, por situate është në kontroll sipas Rakacollit.

 “Vazhdojmë të kemi të sëmurë të shtruar, vazhdojmë të kemi fëmijë që paraqesin forma të rënda të sëmundjes, por ka më pak se para dy javësh, ka një përmirësim të lehtë por prapë ngelet problematike.”

Komiteti Teknik i Ekspertëve bëri të ditur se nëse nuk do të ketë përkeqësim të situatës, këto masa do të jenë efektive në 2 javët e ardhshme.

Klan News