Qeveria nuk do të tërhiqet nga ligji që miratoi në fund të vitit 2018-ë ku uli kompensimin e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar për fermerët nga 20 në 6%. Drejtori i Politikave Fiskale në Ministrinë e Financave, Niko Lera, sqaron se në momentin që imputet në bujqësi: farat, fidanët, plehrat kimikë dhe pesticidet u përjashtuan nga TVSH-ja është e palogjikshme rimbursimi i kësaj takse nga ana e shtetit. Ai thotë se kompensimi 6% u la për disa kosto të tjera që kanë fermerët dhe paguajnë këtë taksë si nafta apo energjia elektrike.

 “Në fund të vitit 2018 parlamenti bëri 0 imputet bujqësore që do të thotë se financimi që jepet për imputet bujqësore nuk ka më sens sepse nuk mund të financosh TVSH-në e një produkti i cili nuk ngarkohet me TVSH. Megjithatë niveli i autofaturimit u la përsëri 6%,  nuk u la 0, në mënyrë që me këtë 6%, fermeri të përballojë TVSH e produkteve të tjera që nuk janë përjashtuar”.

Por ekspertët e ministrisë së Financave janë duke punuar për të krijuar një tjetër skemë e cila do të ndihmojë sektorët më të brishtë në bujqësi, siç është ai i prodhimit të qumështit.

 “Në këtë kuadër ne po shikojmë opsionet e tjera që nëse nga të dhënat dhe llogaritjet do të rezultojë që sektori blegtoral preket në fakt dhe ndryshimet ligjore nuk janë neutrale në kostot e tyre, atëherë të shohim skema të tjera financimi në mënyrë që ato para që jep buxheti i shtetit të shkojnë për atë destinacion për të cilat ai i jep”.

Prej 3 ditësh agropërpunuesit dhe grumbulluesit e qumështit kanë refuzuar të blejnë lëndë të parë në tregun vendas për shkak të uljes së kompensimit të TVSH-së, ndërsa blegtorët kanë protestuar disa herë duke derdhur qumështin në rrugë.

Tv Klan