Inteligjenca franceze nuk parashikoi saktë sulmin rus në Ukrainë, në ndryshim nga inteligjenca amerikane

Eric Vidaud, kreu i inteligjencës ushtarake franceze, do të shkarkohet nga posti, vetëm shtatë muaj pasi mori detyrën. Sipas asaj që raporton media britanike “BBC”, ky vendim është rezultat i mosparashikimit të saktë të sulmit rus në Ukrainë, por edhe i një riorganizimi të brendshëm.

Në fillim të Marsit, menjëherë pas sulmit të Ukrainës nga forcat ruse, shefi i Shtabit të Mbrojtjes, gjenerali Thierry Burkhard, pranoi për gazetën “Le Monde” mangësitë  e francezëve për parashikimin e sulmi të mundshëm të Ukrainës.

“Amerikanët thanë se rusët do të sulmonin dhe ata kishin të drejtë. Shërbimet tona menduan se sulmi i Ukrainës do të kishte një barrë të rëndë dhe se rusët kishin mundësi të tjera për të rrëzuar presidentin Volodymyr Zelensky”, ka thënë ai.

Gjenerali Vidaud u kritikua për mangësitë dhe mungesën e saktësisë në parashikimin e luftës çka coi në një analizë të gabuar.

Gjenerali Vidaud u emërua në këtë post verën e kaluar, nga Komanda e Operacioneve Speciale. Një nga arritjet e tij më të mëdha në karrierën e tij profesionale ishte neutralizimi, më 3 Qershor 2020, i Abdelmalek Droukdel, lideri i Al-Kaedës në Magrebin Islamik, i cili u vra  gjatë një operacioni të kryer nga forcat franceze.

Klan News