“I vetmi Kod Penal që nuk ka asgjë për epideminë”. Kështu u shpreh Kryeministri Edi Rama gjatë seancës së sotme plenare teksa po adresonte rreth ndryshimeve të propozimeve të mazhorancës.

Sipas kryeministrit masat e propozuara duhen sepse do të lehtësohen masat.

Sipas kreut të qeverisë, numri i shkeljeve ka ardhur duke u rritur nga qytetarët pasi shohin që po fitohet lufta në frontin e shëndetësisë.

Rama u shpreh se virusi do të qëndrojë dhe do të kërcënojë popullin.

“Këto masa duhen sepse po të shikoni numrin e shkeljeve ka ardhur në rritje, sa më shumë garantohet sistemi shëndetësor. Sa më pak shtretër ka në spital aq më shumë rriten nga ana tjetër shkeljet. Njerëzit mendojnë që kjo iku dhe është Edi Rama që na mban ne brenda. Është Edi Rama që ka fantazinë e tij të diktaturës. Jo! E kundërta është e vërtetë. Nuk e di kush e përmendi Austrinë. Austria ka të njëjtin plan si ne, vetëm pak më të avancuar në ditë. Kancelari i Austrisë tha do të hapemi, por do kthehemi aty ku ishim nëse kthehet ajo që iku. Ky virus nuk ikën si gjermani i fundit. Është një armik i padukshëm që do të vazhdojë të jetë vërdallë. Kështu që duhet që krahas hapjes për popullin të kemi masa për ata që kërcënojnë popullin”, tha Rama.

Kryeministri u shpreh edhe hapjes së bizneseve. Ai deklaroi se po përgatiten plane të detajuara se si do të punojnë bizneset.

“Si do t’i hapim bizneset? Po përgatisim një plan të detajuar me protokolle sigurie për ata që do të bëjnë biznes dhe ata që nuk i respektojnë patjetër që do të dënohen”, tha Rama, i cili i bëri thirrje deputetëve që të mos “bashkëpunojnë” me Covid-19, por të votojnë ndryshimet në Kod./tvklan.al