Një krim në familje është konsumuar pak para mesnatës në qytetin Montesanto në Itali. Një 51-vjeçar shqiptar i quajtur Hysen Aliko goditi me thikë ish-gruan e tij, raporton Ansa.

Autori kishte pritur ish-gruan deri sa të kthehej në shtëpi. Në këtë moment, në rrugën poshtë pallatit ai e goditi dy herë me thikë në bark duke e lënë të plagosur. 40-vjeçarja, gjithashtu me origjinë shqiptare, u dërgua me urgjencë në spital për ndihmë mjekësore.

Për shkak të të bërtiturave të gruas, në ndihmë të saj shkuan edhe fëmijët e çiftit të cilët gjendeshin aty pranë. Sapo dëgjuan ulërimat e nënës, djali i madh i tyre ndërhyri duke neutralizuar të atin.

Nga përleshja me të në tentativë për t’i marrë thikën, mbeti edhe vetë i lënduar në dorë, por jashtë rrezikut. U desh edhe ndërhyrja e qytetarëve të tjerë të cilët bënë të mundur neutralizimin e Hysen Alikos. Ky i fundit u arrestua nga policia. Ai akuzohet për vrasje të mbetur në tentativë.

Ndërkohë, bëhet me dije se çifti ishte ndarë 1 muaj më parë me vendim gjykate. Hetuesit italianë besojnë se ky është edhe shkaku përse 51-vjeçari sulmoi ish-gruan me thikë. Megjithatë, autoritetet kanë sekuestruar kamerat e sigurisë në zonë për të ndërtuar tërësisht dinamikën. /tvklan.al