Më 27 Dhjetor të vitit të kaluar emisioni “Stop” transmetoi problemin e një tjetër qendre shëndetësore, pajisjet e së cilës, ishin jashtë funksionit. Bëhet fjalë për Qendrën Shëndetësore nr. 7 në Laprakë dhe sipas qytetarëve, prej 6 muajsh, ekoja nuk punonte.
Pas një muaji “Stop” shkoi sërish dhe ekoja nuk ishte rregulluar. Po kështu edhe shërbimi i grafisë nuk ofrohej. “Stop” komunikoi me drejtoreshën e Qendrës Shëndetësore Klodiana Shahaj dhe ajo pranoi që nuk ka as eko dhe as grafi prej muajsh.
Por sipas saj pas procedurës së prokurimit problemi do të zgjidhej. “Stop” rikthehet në Qendrën Shëndetësore numër 7, pasi problemi është zgjidhur. Drejtoresha Klodiana Shahaj shprehet se ka ardhur vendimi nga Komisioni i Prokurimit Publik për blerjen e aparaturave. Shahaj falenderoi emisionin “Stop”, pasi menjëherë pas transmetimit Ministria e Linjës reagoi duke sjellë pajisjet e reja.
“Përshëndetje viti i ri me lajme të reja. Lajmi i mirë për këtë vit është që na ka ardhur vendimi nga Komisioni i Prokurimit Publik për të vazhduar procedurat me shpalljen e fituesit për prokurimin e ekos së re. Ekoja do të jetë prezente në Qendrën Shëndetësore Numër 7 për t’i ardhur në ndihmë komunitetit të Laprakës. Lajmi i dytë ka të bëjë me aparatin e grafisë. Duke falenderuar emisioni “Stop” dhe Ministrinë e Shëndetësisë për mbështetjen u bë i mundur ardhja e aparatit të grafisë për komunitetin e Laprakës”, tha drejtoresha Klodiana Shahaj./tvklan.al