Gjatë fundjavës janë ndëshkuar me gjobë 1231 qytetarë që nuk kanë zbatuar masat për parandalimin e përhapjes së COVID-19. 

Policia në një njoftim për mediat bën me dije se “si rezultat i këtyre kontrolleve, gjatë fundjavës, në të gjithë vendin, Patrullat e Përgjithshme dhe ato të Policisë Rrugore kanë evidentuar dhe ndëshkuar me masën administrative 3.000 lekë secili, 1227 qytetarë që janë konstatuar duke lëvizur pa maskat mbrojtëse”.  

Po ashtu mësohet se 12 persona nuk kanë pranuar t’i tregojnë punonjësve të Policisë dokumentin e identifikimit por në fund janë ndëshkuar me 3.000 lekë. 

Gjatë kontrolleve të ushtruara në subjekte të ndryshme, shërbimet e Policisë kanë evidentuar 1 subjekt që ushtronte aktivitetin në kundërshtim me protokollet e sigurisë. Për administratorin e këtij subjekti është vendosur masa administrative 1.000.000 lekë”, thekson policia.  

Gjithashtu, gjatë kontrolleve në fundjavë janë konstatuar 3 qytetarë që lëviznin në rrugë gjatë orarit të ndaluar të lëvizjes, pa arsye të domosdoshme, të cilët janë ndëshkuar me masën administrative 10.000 lekë secili./tvklan.al