Pesha e madhe dhe presioni që mban ky numër detyruan futbollistin që të thoshte “jo”

Te Barcelona mundet që një futbollist të refuzojë fanellën me numrin 10 dhe kjo për peshën që ajo mbart.

Të paktë janë ata që do të pranonin ta mbanin mbi supe, pasi për shumë vite është mbajtur nga ikona e futbollit Leo Mesi.

Sipas spanjolles “Don Balon”, presidenti i blaugranave Hoan Laporta ia kishte ofruar fanellën talentit holandez Frenki de Jong.

Por mefushori i ardhur dy sezone më parë nga Ajaksi nuk pranoi.

Ai i tha numrit 1 të klubit se nëse mbante numrin “10” në shpinë, atëherë presioni ndaj tij do të ishte mjaft i madh, për më tepër që numri “21” që ka aktualisht mbart një domethënie të madhe për të, pasi e ka zgjedhur në nder të gjyshit të tij.

Nga mesfushori pritet shumë, por ai e di se do t’i duhet mjaft mund e përqendrim që të bëjë që tifozët katalanas të dashurohen me të.

Por numri 10 do të bënte që të gjithë të prisnin shumë më shumë dhe paraqitjet e tij të ishin “në lupë”. Kjo do ta turbullonte mjaft.

Duket se numri 10 do t’i jepet Filip Kutinjos, nëse ky i fundit nuk shitet. Numrin 14 që braziliani e pati sezonin e shkuar, tani e ka sulmuesi kuqezi Rei Manaj.

Klan News