Ushtarakët shqiptarë deklarojnë se shifra prej 13 mijë ushtarësh grekë të vrarë në territorin shqiptar gjatë luftës italo-greke në dimrin e viteve ’40-’41, është e ekzagjeruar. Dhe gërmimet do ta konfirmojnë këtë.

Profesor Danaj, ish-ushtarak i lartë dhe pedagog i gjeopolitikës në Departamentin e Strategjisë dhe Historisë të Akademisë së Forcave të Armatosura, sqaron se për grekët do të jetë i vështirë identifikimi i ushtarakëve të rënë në territorin shqiptar, ndryshe nga ç’ndodhi me italianët dhe gjermanët në gërmimet e viteve ’60-’70 të shekullit të kaluar.

Duke iu referuar eshtrave të para të zbuluara, profeson Danaj pohon se medalioni i gjetur në varr nuk mund të jetë i një ushtari grek.

Deri tani janë gjetur 6 skelete nga gërmimet në luginën e Sajmolës në Dragot të Tepelenës, 2 prej të cilëve të identifikuar. Për të gjithë skeletët që nuk do të mund të identifikohen prej medalionëve do të bëhen analiza të mëtejshme ADN-je. Por një mundësi e tretë, ndonëse më pak e mundshme, është ajo e identifikimit nëpërmjet pajimeve ushtarake që kanë pasur në momentin e varrimit.

Burimi: Klan Plus