Presidenti i Republikës, Ilir Meta priti sot Nuncin Apostolik Imzot Luigi Bonazzi, me rastin e paraqitjes së letrave kredenciale. Presidenti Meta i uroi Monsinjor Bonazzit suksese në misionin e tij në Shqipëri dhe në aktivitetin për forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve të shkëlqyera mes dy vendeve tona.

Kreu i shtetit nënvizoi rëndësinë e marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Selisë së Shenjtë, në dobi të ringritjes shpirtërore të shqiptarëve, forcimit të harmonisë ndërfetare dhe të përpjekjeve për t’u integruar në Bashkimin Europian.

Presidenti Meta vlerësoi ndihmën e Selisë së Shenjtë në lehtësimin e pasojave të tërmetit në Shqipëri dhe shprehu mirënjohjen për veprimtaritë bamirëse të saj në mbështetje të njerëzve në nevojë, veçanërisht gjatë pandemisë së COVID-19.

“Vizitat historike të Papa Gjon Palit II dhe Papa Françeskut në Shqipëri mishërojnë nivelin e marrëdhënieve tona të shkëlqyera”, nënvizoi Presidenti Meta.

Kreu i Shtetit i shprehu mirënjohjen Nuncit të ri Apostolik në Tiranë për mbështetjen e vazhdueshme të Selisë së Shenjtë, jo vetëm në rindërtimin e objekteve të besimit, por edhe ato të arsimit, kulturës, shëndetësisë dhe mbrojtjes sociale.

Duke shprehur mirënjohjen për vëmendjen e veçantë që Papa Françesku tregon për popullin shqiptar, Presidenti Meta, i kërkoi Imzot Luigi Bonazzi t’i përcjellë Atit të Shenjtë përshëndetjet e tij të ngrohta, urimin e tij për shëndet e jetë të gjatë dhe sigurinë se Heroi Kombëtar Gjergj Kastriot Skënderbeu dhe Shenjtorja Nënë Tereza qëndrojnë në themel të vokacionit të qartë europian të Shqipërisë dhe shqiptarëve dhe të vendosmërisë së tyre të palëkundur për të vazhduar rrugën e integrimit europian./tvklan.al