Zbulon momentin kur u bë armik me Talo Çelën

I penduari i drejtësisë, Nuredin Dumani, në 15 Prill, 2 javë nga arrestimi i tij në Fier, u ul përballë prokurorëve të posaçëm dhe rrëfeu detaje për 18 krime të ndodhura, mes tyre vrasje me pagesë, vjedhje dhe sigurim të mjeteve për ngjarjet kriminale. Gjatë rrëfimit, Dumani i tregoi SPAK edhe momentin kur ishte prishur me mikun e tij Talo Çela, pasi sipas tij ishte ndjerë i përdorur prej tij në ngjarjen e vitit 2019, ku u vra shtetasi Andi Zylyfi në Peqin.

“Unë vetë i kërkova Talo-s të merrja pjesë pasi kisha mbetur pa lekë, por ai më tha nuk të fus dot se është në pjesë Miri Haxhia dhe Altin Ndoci, ata kanë marrë kaparin. Talo më tha që do të ta zëvendësonte makinën pasi të mbaronte ngjarja. Makinën nuk ma zëvendësoi dhe nuk më dha as lekët që më premtoi. Disa ditë më vonë 2 ose 3 ditë pas ngjarjes po debatoja me Talo Çelën se ngjarja kishte ndodhur në Peqin dhe ato kishin ardhur në Durrës për kontroll te shtëpia ime, thërritën dhe vëllain e madh po s’ka lidhje”, ka dëshmuar ai.

Pas ngjarjes, konflikti ka vijuar dhe shtetasi Altin Ndoci ka kanosur më armë vëllain e Nuredin Dumanit.

“Unë i shkruajta Talos dhe e shava goxha rëndë dhe i thash tani e tutje keni punë me mua pas kësaj ngjarje. Talo më tha që nuk e kam bërë s`kam çuar njeri dhe vëllait tënd i blej dhe makinë të re. Altin Ndoci na provokonte goxha herë bashkë me Mirin e Kolës, saqë nuk po dinim të reagonim në atë kohë. Pashë situatën që nuk ishte e mirë, Dorjan Shkoza ishte gjatë gjithë kohës pas meje në çdo lëvizje duke më vëzhguar. Më pas u ula me vëllain dhe i thashë që duhet të largohemi nga Shqipëria pasi ato duan të na vrasin, unë nuk lëvizja dot pasi isha me ekspuls”, ka rrëfyer Dumani.

Ngjarjet e fundit ku Talo Çela dhe Nuredin Dumani shfaqen bashkëpunëtor janë dy vrasjet e dyfishta në Durrës të Anxhelo Avdisë, Dorian Shkozës dhe dy vëllezërve Haxhia, në të cilat rezultojnë të përfshirë edhe Erjon Alibeaj dhe Arian Spahiu, ky i fundit i vrarë në Belgjikë dy vite më parë, pas vrasjeve në Durrës.

Dëshmia e Dumanit tregoi gjithashtu se vrasjet e ndodhur në territorin e Elbasanit kishin motiv hakmarrjen. Bashkëpunëtori tregoi për drejtësinë se vrau shtetasin Bujar Çela, vëllain e Talo Çelës, për t’u hakmarrë për vrasjen e mikut të tij Klevis Kapllani në 2020-ën.

Ndërkohë Emiljano Ramazani, sipas Dumanit, u ekzekutua me kërkesë të Erjon Alibeajt pas dyshimeve si ishte një nga personat e përfshirë në vrasjen e vëllait të tij Endrit Alibej në atentatin e trefishtë në 2019.

Vlerat monetare që paguheshin për vrasjet, nisnin nga 30 mijë euro deri në 200 mijë euro, teksa nuk mungojnë indiciet që persona pranë policisë dhe prokurorisë kanë lehtësuar ndër vite pozitat e këtyre personave.

Tv Klan