Janë rreth 37 ushtarë të UÇK-së që rezultojnë të dënuar në qendrat serbe për informacion krahasuar me 25 serbë në lidhje me krimet në Kosovë. Është kjo shifra që bëri të ditur, Ardi Nurellari, këshilltari i Kadri Veselit, mbrëmjen e kësaj të hëne në emisionin “Opinion” në Tv Klan.

“Në momentin që flasim sipas të dhënave të Qendrës për Informim dhe të Drejtave Humanitare që është në Beograd, ka 37 shqiptarë të UÇK-së të dënuar nga shumë gjykata, përfshi nga ato vendore dhe ka vetëm 25 serbë për krimet në Kosovë. Jo vetëm që janë pak serbë, por ata që janë dënuar vitet e fundit janë nxjerrë para kohe ose u është shkurtuar dënimi. Ka një dimension selektiv dhe këto akuza nuk janë se jepen për herë të parë”.

Nurellari deklaroi se histori e UÇK-së nuk mund të ndahet nga Thaçi dhe Veseli, pasi ata kanë qenë drejtues të saj.

“Duhet kuptuar që nuk ka si ndahet historia e UÇK-së nga Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli sepse nuk po akuzohen si individë të përveçëm, por si drejtues. Nuk ka UÇK pa këta individë ashtu si me gjasa dhe të tjerë që janë përfshirë në këtë akuzë sepse kjo nuk është shpallje, por rishpallje e një lënde që ishte shpallur më 24 Prill sepse akuzat nuk janë personale, por janë sepse konsiderohen në krye të kësaj hierarkie”./tvklan.al