Seanca e sotme plenare është shënuar me një debat të fortë mes dy deputetëve opozitarë, Ralf Gjoni dhe Halit Valteri.

Debatet kanë ndodhur pasi Gjoni mbaroi fjalën e tij në foltoren e Kuvendit dhe u drejtua për në karrige. Por siç duket edhe nga pamjet deputeti Gjoni nuk është pritur mirë nga kolegu i tij Halit Valteri.

Është dashur ndërhyrja e deputetëve të tjerë që të shuajnë sherrin mes tyre. Siç duket edhe në video, kreu i grupit parlamentar demokrat, Myslim Murrizi shoqëron Valterin, i cili largohet nga tavolina ku ndodhej Ralf Gjoni.

Nuk dihet se çfarë është bërë shkak i debatit mes tyre pasi gjatë këtij momenti nuk kishte mikrofonë të ndezur pranë tyre.

Pas sherrit, deputeti Valteri foli në foltoren e Kuvendit dhe gjatë fjalës tha: Edhe një sugjerim, zonja Manastirliu se keni vendosur matjen e temperaturës në hyrje të parlamentit, por ju lutem vendosni dhe matjen e inteligjencës dhe bëni testin e idiotit se këtu kemi lloj-lloj idioti, lloj-lloj halabaku që nuk di se çfarë flet.

Fjali kjo që mori vëmendjen e kryetarit të Kuvendit, Gramoz Ruçi, i cili i kërkoi opozitarit të ruante etikën./tvklan.al