Nxënësi “hero”, 8 orë rrugë për të shkuar në shkollë

Nxënësi “hero”, 8 orë rrugë për të shkuar në shkollë

21:24 25/10/2019

Konvikti mbyllet nga bashkia, nxënësit mbeten në “rrugë”

Viti i ri shkollor ka nisur me probleme për nxënësit e shkollës profesionale “Kristo Isak” në Berat. Nxënësit, që janë ankuar në “Stop” tregojnë se në maj të 2019-s, godina e konviktit u mbyll nga Bashkia për arsye rikonstruksioni. Në atë kohë u tha se konvikti do të hapej në Shtator, por në fund të Tetorit asgjë nuk është bërë.

Nxënësja: Unë jam viti i tretë në shkollë profesionale “Kristo Isak”. Vjet në Maj, kur mbaroj shkolla na nxorrën nga konvikti sepse do e rregullonin dhe na thanë se në Shtator do futemi përsëri. Filloi shkolla në 17 Shtator dhe tani është data 16 Tetor dhe ne nuk jemi futur.

Gazetarja: Pse?

Nxënësja: Sepse nuk e kanë hapur konviktin, i pyesim çfarë problemi ka dhe na thonë, që e di bashkia.

Gazetarja: Ndërkohë ju jeni nxënës që vini të gjithë nga rrethinat e Beratit?

Nxënësja: Po. Unë vij nga një fshat i Kuçovës. Kam një orë e gjysmë rrugë dhe e bëj vajtje-ardhje çdo ditë, për të ardhur në shkollë.

Nxënësi: Unë jam Nga Vokopola. Dua katër orë rrugë të vij në Berat. E bëj çdo ditë.

Gazetarja: Sa? 4 orë?

Nxënësi: Po

Gazetarja: Domethënë vajtje-ardhje, ti 8 orë?

Nxënësi: Po

Gazetarja: Seriozisht e ke? Unë të isha në vendin tënd do e kisha lënë shkollën. Bravo të qoftë! Je hero!

Të rinjtë shkojnë e vijnë cdo ditë në vendet ku banojnë dhe paratë e koha u shkojnë rrugë. Për pak nxënës, që nuk kanë se ku të rrinë është vënë në dispozicion një konvikt i vjetër me shumë përdorime. Por aty bëhet boks, mësim, është “Kryqi i kuq”, por ka dhe të pastrehë. Veç faktit, që janë vajza e djem në një vend, aty nuk ka as ujë e as shërbime të tjera.

Gazetarja: Çfarë keni bërë ju për këtë problem?

Nxënësja: Unë jam interesuar tek kujdestari i konviktit dhe na ka thënë se këtë e zgjidh vetëm Bashkia. Na kanë gjetur një zgjidhje provizore, tek konvikti tjetër, por unë atje nuk qëndroj dot, se atje nuk ka ujë. Rrinë vajza –djem bashkë. Në katin e parë bëjnë mësim nxënësit e shkollës profesionale mekanike, edhe nuk ka asnjë kusht.

Gazetarja: Sa keni shpenzuar për një muaj në total?

Nxënësja: 100 mijë lekë në muaj vetëm rrugë.

Drejtori i konviktit thotë, se gjithcka varet nga bashkia.

Ky konvikt është në rikonstruksion. Ky është marrë në dorëzim nga ana e bashkisë. Nuk është problemi se jemi kundër tyre, por tek bashkia varet

Nënkryetari i bashkisë Luciano Bojaxhiu, shprehet se janë marrë të gjitha masat, që punimet të ishin cilësore dhe kjo është edhe arsyeja e vonesës për hapjen e konviktit. Por ai premton se hapja e konviktit të ri do të jetë çështje ditësh.

Në lidhje me këtë problematikë, ne si bashki kemi marrë të gjitha masat e nevojshme që punimet në atë konvikt të ishin cilësore dhe për këtë arsye nuk është hapur në kohën e duhur. Pasi brenda këtij afati nuk janë realizuar të gjitha punimet. Duke pasur parasysh se aty do rrinë nxënës, qëllimi kryesor ishte që punimet të mbylleshin me cilësinë e duhur. Dhe në këtë moment janë mbyllur punimet me cilësinë e duhur, nga fundi i javës që vjen është i mbyllur sepse janë dhe procedurat ligjore që duhen zbatuar./tvklan.al





Grupi
LAJMET

Të ngjashme




Grupi