“Qershori shënon edhe përfundimin e fazës pilotuese për kurrikulat e reja të klasës së pestë. Viti i ri shkollor 2019-2020 nga klasa e parë deri në të 12-n do të mësojë me kurrikulat e reja. Lëndët shkencore janë përkthyer nga shtëpitë botuese “Oxford”, “Cambridge” dhe “Pearson”.

Sipas Ministrisë së Arsimit kjo kurrikul e ka fokusin tek ndërtimi i njohurive nga nxënësit dhe jo në riprodhimin e tekstit. Pas 4 vitesh, nxënësit do të mësojnë me tekste të reja, të cilat kanë ndryshuar në përmbajtjen e tyre, ku lëndët e reja shoqërore janë përkthyer nga autorë shqiptarë.

Ndryshe nga vite më parë, në gjimnaze, Gjuha Shqipe do të jetë e ndarë nga letërsia, po ashtu edhe në provimet e maturës. Ajo që nuk ndryshon është programi mësimor, ku nxënësit do të zhvillojnë sërish 3 lëndë me nga dy orë në ditë. Po ashtu, tekstet e reja kanë edhe një përmbajtje dixhitale, për të përsosur aftësitë e nxënësve.

Sipas Ministrisë së Arsimit, viti 2019 nxjerr edhe maturën e parë që përfundon me kurrikulën e re ku nxënësit do të pyeten se çfarë do të arrijnë të bëjnë në situata të caktuara dhe jo memorizim të njohurive. Provimet me zgjedhje dhe të detyruara që nisin në 7 Qershor dhe përfundojnë më 24 Qershor do të korrigjohen në mënyrë elektronike.

Tv Klan