Veliaj: “Kishën e Shën Prokopit do ta rikthejmë siç ka qenë; Mbjellja e pemëve, detyrë qytetare për t’ia lënë gjeneratës së ardhshme”

Kisha e Shën Prokopit në Parkun e Liqenit, e cila gjatë regjimit komunist u shndërrua në bar-bufe, do të rikthehet në gjendjen e saj të mëparshme, në shërbim të besimtarëve të krishterë dhe vizitorëve të shumtë. Gjatë mbjelljes së 100 fidanëve të rinj me nxënësit e shkollës “Qemal Stafa” dhe “Kongresi i Lushnjës”, kryebashkiaku Veliaj tha se pemët e mbjella i kanë kthyer gjelbërimin dhe hijeshinë gjithë zonës.

“Kjo quhet kodra e Shën Prokopit dhe po të shikoni fotot e vjetra të Tiranës, tani që kryeqyteti ka mbushur 100 vjeç, kodrat kanë qenë komplet të zhveshura, këtu në majë ka qenë vetëm kisha, të cilën do ta rikthejmë siç ka qenë. Tani nga maja e kodrës shohim mijëra pemë, të cilat nuk ndodhen këtu rastësisht, pra dikush përpara nesh i ka mbjellë. Para 5 vitesh rifilluam me aksionin e mbjelljes së pemëve dhe sot besoj çdo gjeneratë, edhe gjenerata jonë, ka për detyrë, një detyrë morale qytetare, që t’ia lërë gjeneratës tjetër qytetin më të mirë sesa e gjeti”, tha Veliaj.

Kryebashkiaku shtoi se Tirana i ka të gjitha mundësitë të jetë Kryeqyteti Evropian i Rinisë edhe me teknologjinë e informacionit, por edhe në nisma të tilla si mbjellja e pemëve apo kujdesi për qytetin. “Jam super i lumtur që çunat dhe gocat më të mirë të “Qemal Stafës” na janë bashkuar në fushatën e mbjelljes së pemëve. Kush punon, ecën përpara! Një qytet duhet të eci me të dyja marshet: edhe me teknologji të lartë, me aplikacione, me kodim, me softëare, me dizajn, sepse Tirana i ka të gjitha mundësitë të jetë një Kryeqytet Evropian i Rinisë edhe për teknologjinë e informacionit; por duhet të mbjellim edhe pemë, ta mbajmë pastër qytetin, të përdorim më shumë biçikletën dhe transportin publik”, deklaroi ai.

Teksa ftoi edhe të rinj të tjerë që t’i bashkohen kësaj nisme, Veliaj nënvizoi domosdoshmërinë për t’u kujdesur për mjedisin dhe shtimin e hapësirave të gjelbra. “Shumë i lumtur që kemi çuna edhe goca në Tiranë që i kuptojnë të dyja këto elemente, kuptojnë që një shoqëri ecën duke u mbështetur te teknologjia, por nuk mund të përqafojmë teknologjinë në një qytet zhul, në një qytet që s’ka pemë, që s’ka oksigjen, që s’ka jetë dhe hapësira të gjelbra”, tha Veliaj.

Gjatë këtyre pesë viteve, Bashkia e Tiranës ka ndërmarrë një sërë projektesh për shtimin e sipërfaqeve të gjelbra, por njëkohësisht edhe për rehabilitimin e monumenteve historikë dhe kulturor të kryeqytetit./tvklan.al