Ministria e Arsimit dhe Shkencës në Kosovë ka marrë të premten vendimin që ora e parë e mësimit në të gjitha shkollat t’i dedikohet informimit për COVID-19.

Bazuar në vendimin e ministrit të Arsimit dhe Shkencës, Ramë Likaj, për fillimin e vitit të ri shkollor 2020/2021 në kushte pandemie, ora e parë e mësimit, në të gjitha shkollat e Republikës së Kosovës, do t’i kushtohet informimit dhe vetëdijësimit të nxënësve lidhur me pandeminë Covid-19”, njofton ministria.

Më tej në vendim bëhet me dije se “në javët në vijim, së paku një orë në javë do t’i kushtohet informimit të nxënësve për zhvillimet më të reja për pandeminë dhe për përgjegjësitë e nxënësve në luftimin e saj”.

Ky vendim vjen në një kohë kur vendi është duke u përballur me një situatë të rëndë të krijuar nga koronavirusi, ku numrat e të prekurve dhe atyre që humbasin jetën shtohen çdo ditë./tvklan.al