Emisioni “Stop” udhëtoi drejtë Vlorës për të shqyrtuar rastin e zotit Sabri Agaj, punonjës i IEVP Vlorë, i cili denoncon largimin nga puna si të padrejtë. Sipas tij, pezullimi është bërë menjëherë pas lejes vjetore dhe më pas, teksa ai ka ankimuar shkeljet e drejtorit në SHKB Tiranë, i ka ardhur dhe largimi me motivacionin “shkelje e përsëritur e disiplinës”. Në dosjen e tij, Sabriu ka vetëm një vërejtje me shkrim të marrë në vitin 2019. Arsyeja e vërtetë e largimit, sipas tij, është fakti që nuk i është nënshtruar drejtorit te burgut Zambak Gjoni, për të cilin thotë se ka lidhje familjare me Ministren e Drejtësisë.

“Unë kam qenë me leje të zakonshme nga data 1 Korrik, deri në datën 3 Gusht 2019. Shkoj në punë, marr shërbimin si përgjegjës i rrethimit të jashtëm. Në datën 8 më vjen një pezullim. Kërkoj shpjegim. Nuk më japin asnjë shpjegim, i ke në Tiranë më thonë. Bëj ankesë tek Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve, i Ministrisë së Drejtësisë, si dhe SHKB Tiranë. Nuk më kanë dhënë arsyen përse unë jam pezulluar, por kam ngritur shqetësimet e mia për problematikën që ka pasur në atë institucion. Që nga drejtori i institucionit që është i komanduar që ka 22 muaj në atë institucion. Dhe problemi tij, kush e ka sjellë dhe çfarë pune bën atje, e di ai. Ne kemi bërë denoncime të shpeshta që në 2019 dhe emëron shefat e sigurisë sipas miqësisë, sipas porosive që ka. Ne atje kemi konstatuar, në detyrën e përgjegjësit të shërbimit, kemi konstatuar, dyshuar dhe për lëndë të ndryshme narkotike dhe për sende të ndryshme. Janë procesverbale të mbajtura në librat e shërbimit nga policat e kontrollit. Këto procesverbale janë denoncuar në SHKB e Tiranës. Kanë ardhur, i kanë fotokopjuar, i kanë marrë. Rezultati deri më sot është 0. Asnjë përgjigje. As mua kur e kam kërkuar me ngulm që më vini në dispozicion për arsye të hetimit, për t’i çuar në prokurori. Shkelje çfarë kam bërë që unë të pezullohem. Në datën 28 Gusht të 2020 shkoj në SHKB e Tiranës për të bërë denoncimin. Në 29 ishte e shtunë, 30 e diel dhe 1 vjen lirimi. Domethënë dhe në kohë pushimi bën letrat për të më liruar. Vetëm që mos dëmtohej Zambak Gjoni, më fal që duhet ta them këtu, publike, që flet në emër të Ministres se ka mbiemrin e saj, nuk e di nëse ka apo jo lidhje, por flet… do bëj ça të dua sa të jem unë”.

Ish-inspektori Sabri Agaj iu drejtua SHKB-së për të kërkuar një sqarim, por në përfundim mori shprehjen: “Nxirreni jashtë”!

Denoncuesi: Shefi si kalove?

Inspektori SHKB: Mirë si kalove ti?

Denoncuesi: Nga Shtëpia? Si dukesh? S’më more në telefon o burrë i dheut, të bëra denoncim.

Inspektori SHKB: Ku bëre denoncim.

Denoncuesi: Denoncim për procesverbalet e datës 19 Mars, për shumë-shumë gjëra dhe s’më kthyet asnjë përgjigje. Në 28 erdha te ju, të hënën më liruan, si ka mundësi?

Inspektori SHKB: Po ça do bësh, do të bësh kallëzim, hajde bëj kallëzim.

Denoncuesi: Po e bëra në datë 28.

Inspektori SHKB: Po mirë mo dakord!

Denoncuesi: Erdhe në Vlorë, more librat, nuk pyete asnjë kontrollor. Unë po rri rrugëve o zotëri.

Inspektori SHKB: Nuk ka lidhje ajo me denoncimin tënd, dëgjo këtu tani. Unë e kam parë dhe ça ke shkruajtur ti dhe e kemi verifikuar.

Denoncuesi: Ca keni verifikuar, libri i sigurisë a është i ndryshuar?

Inspektori SHKB: Vazhdo! Nxirre jashtë!

As Ministria e Drejtësisë, as Komisioni nuk japin verdikt. Pasi u pezullua nga puna, Sabri Agaj kërkoi të gjitha vërejtjet, që janë në dosjen e tij dhe nga IEPV e Vlorës iu vu në dispozicion vetëm vërejtja e marrë në 2019-n, edhe pse në letrën e largimi shkruhet: shkelje e përsëritur e disiplinës, që bie ndesh me materialin që iu vu në dispozicion.

Në këtë pikë Sabriu u drejtua në Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve, ku nuk e priti askush, por vetëm foli në telefon me një person që mendohet të ishte shef kuadri. Atëherë Agaj bëri dhe ankimin në Ministrinë e Drejtësisë, që ka afat 45 ditë, për të shqyrtuar rastin. Sapo redaksia e “Stop” bëri shkresë zyrtare, komisioni u mblodh, por nuk dha një përgjigje nëse shkarkimi i Sabri Agajt ishte i drejtë./tvklan.al