Në operacionin e shpëtimit edhe forca nga Kosova

Pas më shumë se 24 orë kërkimesh, nga ujërat e lumit Lepenc nxirret vetura me tre trupat e pajetë të familjes Pacolli nga Kosova, e cila pas aksidentit të së shtunën kishte rënë në këtë lumë.

Siç raportoi ekipi i Klan Macedonia nga vendngjarja, tre trupat e pajetë ishin gjetur në pjesën e pasme të veturës, që do të thotë se kishin bërë përpjekje të dalin nga makina, por fatkeqësisht nuk ia kishin dalë. Është prononcuar edhe Ministria e Punëve të Brendshme.

“MPB njofton opinionin se nga ana e zyrtarëve policor të Njësisë Speciale Antiterroriste “Tigrat” në lumin Lepenc janë gjetur tre trupa të pajetë, të cilët ishin në kërkim pas aksidentit të djeshëm në rrugën Shkup-Bllacë. Është gjetur edhe vetura BMW”.

Operacioni i kërkimit nisi të shtunën pasdite, ku krahas ekipeve të shpëtimit nga Maqedonia e Veriut dhe vullnetarëve nga fshatrat përreth, në aksionin mirë të koordinuar kanë marrë pjesë edhe pjesëtarë të FSK-së dhe Policisë së Kosovës.

Në vendngjarje ka dalë edhe Ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla, bashkë me ambasadorin e Kosovës në Shkup, Florian Qehaja, të shoqëruar nga zëvendësministri i Brendshëm i Maqedonisë së Veriut, Nazim Bushi, por edhe zyrtarë tjerë nga Kosova dhe Maqedonia e Veriut.

Pas aksidentit të së shtunës, një pjesëtar i familjes Pacolli për të cilin thuhet se është një 20-vjeçar, kishte arritur të shpëtojë dhe ishte dërguar në Spitalin “8 Shtatori” të Shkupit. Në këtë incident ka marrë pjesë edhe një automjet Volksvagen Touran me targa të Shkupit. 64-vjeçari nga Shkupi me urdhër të Prokurorit Publik është privuar nga liria nën dyshimin si pjesëmarrës në aksidentin që rezultoi me tre viktima.

Për rastin tragjik, përmes Facebook-ut, është prononcuar edhe Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti. Ai shpreh ngushëllime për familjen Pacolli kurse të mbijetuarit të aksidentit i uron shërim të shpejtë, siç thotë, edhe forcë për të përballuar dhimbjen e humbjes së prindërve e vëllait të tij.

Falenderoj përzemërsisht ekipet tona profesionale të FSK-së, Policisë së Kosovës, vullnetarët e kërkim-shpëtimit dhe autoritetet e Republikës së Maqedonisë së Veriut të cilët në bashkëpunim të ngushtë, që nga momenti kritik, kanë bërë maksimumin e tyre përkundër të gjitha sfidave me të cilat janë ballafaquar”, shkruan Kurti në Facebook.

Operacioni i kërkimit, sipas autoriteteve të Maqedonisë së Veriut, është zhvilluar në kushte jashtëzakonisht të vështira për shkak se lumi Lepenc është i thellë, i shpejtë dhe me vete bart gjëra që paraqisnin rrezik për zhytësit.

Tv Klan