Ekipet e kërkimit kanë nxjerrë nga thellësia e detit një trup të gjetur dy ditë më parë brenda rrënojave të aeroplanit të rrëzuar më 21 Janar pranë brigjeve franceze. Trupi që u gjet është dërguar për ekspertizë mjeko-ligjore, ndërsa nuk ka informacion për identitetin. Autoritetet nuk kanë përcaktuar ende nëse i përket futbollistit Emiliano Sala apo pilotit David Ibbotson.

Aeroplani i vogël tip Piper Malibu ishte nisur nga Franca dhe do të udhëtonte drejt Uellsit kur humbi nga radarët dhe u rrëzua në det. Në bord ishin vetëm dy persona, futbollisti 28-vjeçar dhe piloti. Të dielën nisën kërkimet e specializuara nën ujore për të gjetur rrënojat e aeroplanit.

Gjatë kërkimeve, në fund të detit u gjetën mbetje të avionit dhe një trup i pajetë. Duke folur për një media argjentinase, babai i futbollistit Emiliano Sala u shpreh:

“Nuk mund ta besoj, është një ëndërr e keqe, jam i dëshpëruar”. 

Para se aeroplani të rrëzohej dy javë më parë, vet futbollisti u kishte dërguar miqve të tij një mesazh zanor kur shprehej i frikësuar për jetën. /

tvklan.al