Viktima e dytë në Kukës të hënën

Një ngjarje e rëndë është shënuar gjatë orëve të pasdites në rrugën e vjetër të Kukësit. Një 37-vjeçar duke drejtuar një kamion doli nga rruga dhe ra në liqen.

Ngjarja ndodhi tek vendi i quajtur Ura e Kolshit dhe menjëherë pas kësaj nisi puna për nxjerrjen e trupit të tij. Policia e Kukësit njoftoi pas rreth 5 orësh se polumbarët arritën të gjejnë dhe të nxjerrin trupin e pajetë të 37-vjeçarit nga liqeni.

Grupi hetimor po punon për të zbardhur rrethanat dhe sqarimet e plota të kësaj ngjarje.

Më herët, në liqenin e Kukësit u mbyt një i mitur. 16-vjeçari L.G. po lahej në liqen përpara se të mbytej. Edhe për nxjerrjen e trupit të të riut u desh ndërhyrja e polumbarëve./tvklan.al