‘Made in Italy’, po me çfarë çmimi? Kjo është pyetja që shtron e  përditshmja amerikane “

New York Times”

në një artikull kushtuar modës italiane. Përtej shkëlqimit të pasarelave, në një reportazh me titull brenda hijes ekonomike italiane, gazeta përshkruan kushtet në të cilat rrobaqepëset në Puglia punojnë për firmat e mëdha. Sipas saj janë mijëra punëtorë që punojnë në të zezë, pa kontratë e pa sigurime, të cilat paguhen një euro për një orë pune. “

New York Times”

krahason kushtet e punëtoreve italiane me ato në  Indi, Bangladesh, Vietnam dhe Kine.

Nëpërmjet dëshmive, edhe anonime, gazeta tregon situatën e vështirë të mijëra grave në jug të cilat punojnë për mbijetese. Presidenti i dhomës së modës italiane Carlo Capasa i ka konsideruar akuzat sulme të turpshme, duke paralajmëruar se çështja do të zgjidhet juridikisht.

Stilistët ndërkohë të pranishëm në javën e modës që po mbahet këto ditë në Milano mbrohen duke thënë se askush nuk është perfekt, por gjithsecili përpiqet të bëjë më të mirën. Sakaq kjo nuk është hera e parë që prestigjiozja amerikane ka sulmuar modën italiane.

Vitin e shkuar e cilësoi Milanon si periferi të modës ndërkombëtare, në 2007 e cilësoi modën italiane si vulgare, kurse në 2009 tha se italianët prodhojnë rroba për velina.

Tv Klan