Sanije Loka, vjehrra e 41-vjeçares Bedrie Loka e cila i dha fund jetës 5 ditë më parë, në Durrës, mohon që mes djalit të saj Xhemalit dhe nuses të kishte konflikte. Në një intervistë për gazetaren Enkelejda Arapi, gruaja shprehet se po ashtu se nuk ka dijeni që fëmijët e 41-vjeçares të kenë denoncuar dhunën e të atit në polici. Sanije Loka nuk di të thotë pse Bedrija ndërmori aktin e rëndë të vetëvrasjes, por thotë se e vërteta do dalë. Ajo flet edhe për një 40 mijë eurosh të vjedhur, por pa shpjeguar më saktë, ndërsa shprehet se “siç ka qenë ajo te familja e djalit tim të kishin qenë fëmijët e mi, ‘n’shpinë të lekut’.”
Si ndiheni nga kjo ngjarje?
Sanije Loka: Shumë keq, na ka vrarë opinioni, na ka vrarë sedrën
Sot akuzohet djali juaj…
Sanije Loka: Po edhe unë akuzohem.
Po për çfarë?
Sanije Loka: Unë akuzohem që dua t’i marr shtëpinë, katin e 2-të, kam parë lajmet. Unë akuzohem se nëna do të fshehte armë, e kam, dëgjuar në lajme sot, prandaj do të shkoj të bëj denoncimin, do të gjendet se kush.
Ka pasur konflikte mes çiftit mesa keni dijeni ju?
Sanije Loka: Për Zotin jo. Të thashë ‘jetë-zemër’, s’ka emër Bedrija-Xhemal, ‘o jetë, o shpirt’.
Është pretenduar që njëri nga fëmijët e ka denoncuar për dhunë të atin, është e vërtetë? Keni komunikuar me fëmijët e Bedrijes?
Sanije Loka: Nuk di gjë, nuk na kanë thënë gjë, le t’i bëjnë lojërat.
Djali juaj jetonte më tepër jashtë sesa në Shqipëri?
Sanije Loka: Djali ka qenë në Greqi, ai ka qenë në Korfuz dhe unë kam qenë në Korfuz.
Pse mendoni që mund të ketë marrë një veprim të tillë Bedrija?
Sanije Loka: Pse ka marrë veprimin e helmit? Do dalë në një vend…
A ka ndikuar adresa e hapur në TikTok në gjendjen e Bedrijes?
Sanije Loka: Edhe bëhet ajo, se më dënon dhe mua opinioni, jo atë që e ka pasur të saktë.
Si ishte e saktë?
Sanije Loka: Afërmendsh, si të flasësh në internet e gjëra, asaj ia mbushte mendja tamam. Dhe djali nuk i tha gjë.
Si ishte sjellja e Bedrijes?
Sanije Loka: Mirë ka qenë, pastaj s’di gjë sepse nuk kam ndenjur këtu, 7 muaj kam ndenjur në Greqi.
Me familjarët e Bedrijes keni komunikuar, në lidhje me akuzat që ajo nuk ka qenë kurrë e lumtur?
Sanije Loka: Nuk qe ajo e lumtur te djali im.. siç ka qenë ajo te familja e djalit tim të kishin qenë fëmijët e mi, ‘n’shpinë të lekut’. Po të them kur janë mbledhur 40 mijë euro, sa 40 mijëshe kanë ardhur Bedrija i ka pasur aty, pikë. Ai vëllai që flet ato fjalë nuk e ka ditur se kush është motra. Kur kanë parë lekët që janë vjedhur 40 mijë euro ka ardhur atje.
Po keni ndonjë të dyshuar?
Sanije Loka: Për kë, për lekët?
Për ngjarjen.
Sanije Loka: Jo-jo-jo, ata e dinë vetë. Për ngjarjen e lekëve s’di gjë.
Fakti që tani djali juaj është arrestuar, si e komentoni?
Sanije Loka: Mua më vjen keq, se e kam djalë. Por të fundosin të tjerët.
Një pronocim për mediat pati edhe kunati i të ndjerës, Fatmir Loka. Ai hodhi poshtë çdo akuzë ndaj vëllait të tij, Xhemal Loka, duke thënë se ai e kishte mbështetur gjithnjë bashkëshorten. Xhemal Loka tregoi me detaje ditën kur Bedria kishte qenë në spital dhe sipas tij i kanë qëndruar afër. Kunati i 41-vjeçares tha po ashtu se pak para se të vdiste u ka kërkuar falje (Lexo më shumë).
Bedrie Loka i dha fund jetës duke pirë helm në shtëpinë e saj në lagjen Stalla të Sukthit. Ajo ishte nënë e 4 fëmijëve, 1 vajze dhe 3 djemve. Në pranga për ngjarjen e rëndë në pranga ka rënë bashkëshorti i saj, Xhemal Loka. Policia thotë se disponon prova të pakundërshtueshme se 45-vjeçari e ka kërcënuar të ndjerën, duke e shtyrë në ndërmarrjen e aktit të rëndë, por Xhemal Loka e mohon kategorikisht këtë akuzë (Lexo më shumë).
Ishte një nga 4 fëmijët e çiftit që rrëfeu se disa ditë përpara ngjarjes së rëndë, 45-vjeçari kishte kërcënuar se do vriste 41-vjeçaren. Krahas kësaj dëshmie burime pranë grupit hetimor bëjnë me dije se policia dhe prokuroria ka në duar video mesazhe që Xhemal Loka i çonte gruas së tij duke e kërcënuar. Prova këto për të cilat ai ka refuzuar të flasë përpara hetuesve. Për zbardhjen e plotë të kësaj ngjarje policia vijon hetime paralele dhe për llogarinë në rrjetin social TikTok për të cilën viktima kishte bërë kallëzim në Dhjetor 2022./tvklan.al