Një avion u detyrua që të bënte ulje emergjente në aeroportin e Los Angelos pasi motorët iu përfshinë nga flakët.

Avioni i linjës “Philippine Airlines” u nis në orën 11:00 të paradites për në Manila, por u detyrua të kthehej mbrapsht pas vetëm një ore. Pamjet e filmuara nga pasagjerët tregojnë momentet e tmerrit, kur motorët përfshihen nga flakë.

Ata thanë se fillimisht dëgjuan zhurma, ndërsa më pas nisi zjarri. Zyrtarët u shprehën se avioni u ul pa probleme dhe nuk pati asnjë pasagjer ose pjesëtar të bordit të lënduar.

Në video shikohen shtëllungat e zjarrit që dalin herë pas here. Në të dëgjohet zëri i një fëmijë i cili pyet nëse do të përplasen, ndërsa një i rritur i përgjigjet duke i thënë: “Shpresoj që jo”.

“O Zot i madh, motori u përfshi nga flakët”, tha një grua sapo zbriti në aeroport.

Zyrtarët thanë se avioni u kthye prej një problemi teknik. Ata kanë nisur hetimet për shkakun e rënies së zjarrit. Gjithashtu kompania ka rimbursuar pasagjerët dhe u ka ofruar akomodime falas në hotel. /tvklan.al