Shtypi amerikan njofton se administrata e presidentit Obama po përgatitet të njoftoj një seri masash kundër Rusisë për të ndëshkuar këtë vend për ndërhyrjen në zgjedhjet e 8 nëntorit.

Sipas gazetës “Washington Post” zyrtarë amerikanë janë shprehur se këto masa mund të jenë sanksione ekonomike dhe diplomatike.

Rusia i ka mohuar akuzat se presidenti Putin është përfshirë personalisht në hakerimin që i kushtoi kundërshtares së Trump, demokrates Hillary Clinton, zgjedhjet.

Presidenti i zgjedhur Donald Trump në mënyrë të vazhduar ka mbrojtur qëndrimin se Rusia nuk u përzje në zgjedhjet e muajit të kaluar.

Ka ende pyetje sesi hakerat rusë arritën të sigurojnë emailet e zyrtarëve të fushatës së Clinton dhe t’i publikonin në Uikiliks në përfundim të fushatës, me sa duket në një përpjekje për të ndikuar zgjedhjet, në favor të zotit Trump.

Ndërkohë, senatori i njohur republikan Lindsey Graham tha se Rusia ndërhyri në zgjedhjet e fundit presidenciale amerikane dhe duhet të presë për këtë sanksione të ashpra.

Ai tha të mërkurën se në 2017, Kongresi Amerikan do të hetojë përfshirjen e Rusisë në zgjedhjet e 8 nëntorit, të cilat sollën në pushtet biznesmenin Donald Trump.

Presidenti Obama ka urdhëruar shërbimet e zbulimit për një rishikim të plotë të akuzave të ngritura./tvklan.al