Nëpërmjet një deklaratë të Shtëpisë së Bardhë, presidenti Barack Obama, ngushëlloi familjarët dhe popullin kuban për humbjen e ish presidentit Fidel Castro.

“Në këtë kohë të vështirë të vdekjes së Fidel Kastros, i zgjasim një dorë miqësie popullit kubanez. E dimë të gjithë se ky moment e mbush me emocion popullin kubanez dhe atë amerikan, duke sjellë në mend mënyrat e pafundme me të cilat Fidel Kastro ndryshoi rrjedhën e jetëve të njerëzve, familjeve dhe Kubës. Vetë historia do jetë dëshmitare dhe gjykuese e impaktit të pafundmë të këtij personi tek njerëzit që e rrethonin” thuhet në deklaratë.

Castro ishte një hero për idealistët e majtët në botë dhe në të njëjtën kohë një diktator gjakatar për armiqtë e tij. Për thuajse 60 vjet ai ishte figura themelore vendit të vogël ishullor.

Ai përmbysi qeverinë e vendit të tij në vitin 1959, në revolucionin e famshëm komunist. Për shumë nga mbështetësit e tij ai u ktheu Kubën njerëzve, por kritikët e cilësojnë një shtypës të frymës opozitare e të drejtave të njeriut, i cili ekzekutoi dhe burgosi disa nga kundërshtarët e tij politikë dhe median e lirë.

Pavarësisht embargos mbi 50-vjeçare të vendosur nga Shtetet e Bashkuara, regjimi i Fidel Castros arriti të mbijetojë. Vdekja e Castros, një nga udhëheqësit më jetëgjatë në botë, u njoftua nga vëllai i tij Raul./tvklan.al