obama jahjagaPresidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, vijon të marrë mesazhe urimi nga homologë dhe krerë shtetesh me rastin e 6-vjetorit të Pavarësisë së vendit, që do të kremtohet të hënën më 17 shkurt.

Në telegramin e urimit të presidentit amerikan, Barak Obama, theksohet se “Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të mbështesin zhvillimin e mëtejmë të Kosovës dhe rritjen e përgjithshme të saj si një demokraci sovrane, e pavarur dhe shumë-etnike. Kosova duhet të jetë krenare për përparimin e rëndësishëm në 6 vitet e fundit, veçanërisht, me arritjet historike të vitit 2013, përfshirë edhe Marrëveshjen e Prillit me Serbinë për normalizimin e marrëdhënieve dhe me përparimin e bërë në dialogun e lehtësuar nga BE. Mbesim të përkushtuar për të mbështetur përparimet tuaja drejt integrimit të plotë euro-atlantik dhe në ndërtimin e një të ardhmeje më të ndritur për të gjithë qytetarët e Kosovës” – përfundon mesazhi i urimit të kreut të Shtëpisë së Bardhë.