Obama_0c245_image_1024w1Të pakuptimta i konsideron presidenti Barak Obama, paralelet që heq Rusia me Kosovën për të ligjëruar aneksimin e Krimesë. Deklaratën ai e bëri gjatë një konference të përbashkët për shtyp me kryeministrin hollandez Mark Rute, në Hage, ku ndodhet për të marrë pjesë në samitin për sigurinë atomike.

BARACK OBAMA, PRESIDENT I SHBA: Nuk ka asnjë provë që të tregojë se rusishtfolësit janë kërcënuar në çfarëdolloj forme. Kur dëgjoj analogjizmat me Kosovën, ku kemi pasur mijëra njerëz të masakruar nga qeveria e tyre, ky krahasim më duket absolutisht “non-sens”.

Për këtë arsye, presidenti amerikan u shpreh qartazi se Shtetet e Bashkuara nuk e njohin referendumin për Pavarësinë e Krimesë dhe aq më tepër, aneksimin e saj nga Rusia. Obama shprehu shqetësimin për sjelljen e Rusisë ndaj Ukrainës në të ardhmen.

BARACK OBAMA, PRESIDENT I SHBA: Jemi të shqetësuar për çdo kërcënim në të ardhmen nga ana e Rusisë ndaj Ukrainës. Çdo kërcënim do të jetë një zgjidhje e gabuar nga ana e presidentit Putin. Por ai është presidenti i Rusisë dhe është i vetmi që mban përgjegjësi për vendimet.

Sjelljet kërcënuese të Rusisë ndaj vendeve fqinjë, Obama i konsideroi si shenjë dobësie. Ai tha se edhe Shtetet e Bashkuara kanë influencë tek fqinjë, por në përgjithësi nuk e kanë të nevojshme për të patur një bashkëpunim të mirë me ta. Një ditë më parë, në një mbledhje të jashtëzakonëshme vendet e G7 anulluan takimin e grupit të vendeve më të industrializuara të Botës, që ishte parashikuar në qershor në Soçi të Rusisë. Takimi do të zhvillohet në Bruskel në të njejtin muaj, por pa praninë e Rusisë, të cilën vendosën t’a përjashtonin nga ky grup, për shkak të rolit të saj në Krime. Ministri i jashtëm rus, i pranishëm në këtë samit tha se përjashtimi i Rusisë nga G8 është i pavlefshëm,pasi asnjë pjesëmarrës nuk mund të përjashtohet. Ndërkaq në Ukrainë është gjetur i vrarë një prej drejtuesve të ekstremit të djathtë, i cili ishte një nga personat që udhëhoqi protestat kunder ish-presidentit Janukoviç.